Një 36-vjeçare ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku, që ka ndodhur sot në fshatin Talinofc i Muhaxherëve në Ferizaj.
Policia ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:53, ku automjeti është vetëaksidentuar duke goditur një shtyllë elektrike.
Sipas Policisë, aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ndodhur derisa një automjet civil i udhëtarëve “Opel” me targa vendore ishte duke lëvizur në rrugën lokale nga Ferizaj në drejtim të fshatit Sazli dhe posa arrin në dalje të fshatit Talinovc i Muhaxherëve, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve në rrugë (mot me shi) shoferi e humb kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe godet një shtyllë elektrike të betonit.
Në këtë aksident ka vdekur një femër e moshës 36-vjeçare, ndërsa janë lënduar dy persona të tjerë.
“Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën personi me inicialet K.G. (F/K) e moshës afërsisht 36-vjeçare, që ishte pasagjere në automjet, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët e Spitalit të Ferizajt në vendin e ngjarjes. Ndërsa, lëndime trupore kanë pësuar shoferi i automjetit me inicialet A.G. (M/K) 18-vjeçar dhe një pasagjer tjetër me inicialet L.G. (M/K) 20-vjeçar. Të njëjtët për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku dhe po trajtohen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e policisë nga Stacioni Policor i Ferizajt, Njësia e Hetimeve të Aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, Brigada e Zjarrfikësve nga Ferizaj dhe autoambulanca e Spitalit Rajonal të Ferizajt. Gjithashtu në vendin e aksidentit ka dalë edhe prokurori nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe me vendim të tij trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve të Aksidenteve në koordinim me prokurorin e Shtetit”, ka njoftuar Policia.