Mëngjesi i 22 shkurtit doli të jetë i kobshëm për familjen Berisha nga Gjilani. Vajza e Hisen Berishës, 10 vjeçe, Erëza, u godit nga një makinë te dera e shtëpisë, në një rrugë që ka kohë që po konsiderohet e rrezikshme për qarkullim. Dy ditë më pas ajo ndërroi jetë në QKUK. Në momentin kritik, Erëza po kthehej nga shkolla, me dëshirën për ta porositur tortën e ditëlindjes, pasi kishte planifikuar festë me shokët dhe shoqet e klasës. Por, vajza e vetme e familjes Berisha, u varros pikërisht në ditën kur do t’i mbushte 11 vjet
Vijonte klasën e gjashtë, në njërën nga shkollat fillore të qytetit të Gjilanit. Erëza Berisha ishte nxënëse e shkëlqyeshme. Por, jeta e saj mori fund të shtunën pas një aksidenti në të cilin ajo u përfshi më datë 22 shkurt, derisa ishte duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi.
Në ditën kritike, gjilanasja e re, ishte duke u marrë me përgatitjet e festës së datëlindjes së saj –më 25 shkurt do ta festonte 11 vjetorin. Kishte ftuar të gjithë shokët e klasës për festën që do ta organizonte. Por, atë ditë, Erëza, nuk e priti. Në vend të festës, familja e saj hapi të pame për vajzën e vetme të Hisen Berishës.
Gazeta Express, të hënën, ka qëndruar në shtëpinë e Erza Berishës, ku familjarët ka rrëfyer për të gjithë ngjarjen.
Sipas familjarëve, e ndjera rreth orës 13:00 kishte përfunduar mësimet, menjëherë më pas ajo me një taksi ishte nisur për në shtëpi, ku edhe do të merrej me përgatitjet e festës. Por, rreth orës 13:15 menjëherë pasi kishte zbritur nga taksia, ajo ishte goditur nga një veturë afër derës së shtëpisë së saj në “Rrugën e Prishtinës”, siç e quajnë banorët e asaj lagjeje pjesën ku Erëza u godit për vdekje nga vetura. Familjarët thonë se aksidenti fatal erdhi si pasojë e mospërshtatjes së rregullave të komunikacionit nga ana e drejtuesit të makinës.
“Erëza çdo ditë ka udhëtuar me taksi për në shkollë dhe është kthyer me taksi. Atë ditë ajo ka zbrit prej taksit, ka tentuar ta kalojë rrugën por aty është goditë nga ajo veturë”, rrëfen Kadime Berisha, vajza e axhës të së ndjerës.
Pas aksidentit kishte qenë vetë drejtuesi i automjetit ai që e kishte dërguar Erëzën për në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Pas asaj, Erëza është dërguar për në emergjencën e QKUK’së. Por, për shkak të lëndimeve të rënda trupore ku më datën 24 edhe kishte ndërruar jetë.
“Ka pas lëndime të rënda trupore, pas Gjilanit e kanë dërguar në emergjencë. Aty nën kujdesin mjekësor ka qëndruar 46 orë, kur më datë 24 në orët e mëngjesit edhe ka ndërruar jetë”, thotë familjarja e tashmë së ndjerës.
E këtë rast, familjarët thonë se do t’ia lënë drejtësisë. Për këtë punë, policia rajonale në Gjilan tashmë e ka ndaluar një person. Të dyshuarit, prokuroria e Gjilanit i ka vendosur një muaj paraburgim. Kështu i ka thënë Expressit, zëdhënësi i policisë në Gjilan, Ismet Hashani.
“Në Rrugën Nëna Terezë”, në Gjilan raportohet se i dyshuari mashkull përderisa ishte duke lëvizur me veturën me targa lokale, nga pakujdesia ka goditur këmbësorën-viktimën femër. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta është dërguar fillimisht në spitalin e Gjilanit e më pas në QKUK-Prishtinë. Lidhur me rastin i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë rreth këtij aksidenti.
Ndërkohë rruga në të cilën u aksidentuar Erëza po cilësohet mjaftë e rrezikshme për qarkullim. Aty kohë-pas kohe ndodhin aksidente të tilla.
E për t’i ndalur aksidentet, banorët e rrugës ‘Nënë Teresa’ kishin nënshkruar edhe peticione drejtuar komunës për të marrë masa.
“Është rrugë për të cilën urgjentisht duhen marre masa që të shmanget rreziku. Rasti i Erëzës ishte fatal, por që një vit këtu kanë ndodhë edhe tri aksidente të tjera. Autoritet këtu duhet të marrin masa për këtë punë”, kanë deklaruar banorë të lagjes. egjithëkëtë, Erëza, nuk është viktima e katër që ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit të trafikut vetëm brenda një jave. Ditë më parë edhe tri vajza kanë humbur jetën, njëra 11 vjeçe në një aksident trafiku në Istog.