Zbardhet identiteti i dy shqiptarëve që humbën jetën një ditë më parë në një aksident rrugor në Itali.
Viktima janë Dritan Ulku 37 vjeç, banues në komunën Cesenatico dhe Ilir Seferi 39 vjeç, banues në qytezën Bellaria.
Nga aksidenti mbeti i plagosur dhe një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai po merr trajtim mjekësor në spitalin Bufalini të Cezena-s dhe raportohet se ndodhet në rrezik për jetën. Aksidenti u regjistrua pasditen e djeshme në provincën e Cezena-s në Itali.
Furgoni në të cilin udhëtonin 3 emigrantët shqiptarë, punëtorë në një shoqëri instalimi skelash, u përplas me një kamion me rimorkio ku po udhëtonin babë e bir.
Përplasja ka qenë mjaft e fuqishme, duke u shkaktuar vdekjen në vend dy emigrantëve shqiptarë: Ulkut dhe Seferit. Ndërkohë, babë e bir (italianë) që udhëtonin në kamion kanë marrë vetëm disa plagë të lehta në trup.
Policia italiane po heton mbi zbardhjen e motivit të këtij aksidenti.