Aksion i policisë në veri të Mitrovicës, dyshohet për një institucion ilegal

Prishtinë | 26 Dhj 2024 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në veri të vendit ka zhvilluar aksion për të liruar disa prona. Gjatë këtyre bastisjeve Policia ka hasur disa struktura ilegale, raporton Ekonomia Online.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani, ka treguar se bashkë me zyrtarët Komunal të Mitrovicës së Veriut kanë verifikuar një pronë tek “Tre Rrokaqiejt”.

Ai ka thënë për EO se në momentin që kanë hyrë në objekt, në katin e parë të ndërtesës, Policia e Kosovës ka biseduar me disa persona të cilët kanë treguar se aty janë disa punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal.

Elshani ka thënë se pas verifikimit të disa dokumenteve, kanë njoftuar Prokurorinë e Mitrovicës dhe është hapur rast për dyshimin për falsifikimin e dokumenteve.

“Punëtorët janë lejuar t’i marrin gjërat personale dhe të largohen nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar dhe policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor  s’ka pasur ndonjë incident”, ka theksuar Elshani.

Të ngjashme