Aksion në Prizren, sekuestrohen rreth 2 kg heroinë dhe armë, tre të dyshuar në ndalim

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në kuadër të veprimeve hetimore dhe në bashkëpunim me organet e rendit, janë ndërmarrë masa operative ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me narkotikë dhe armë pa leje.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje si pjesë e një grupi të organizuar.

“Bazuar në dyshimin e bazuar, të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe në kuadër të një grupi, duke u marrë me shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të substancave narkotike të llojit heroinë.”

Gjatë operacionit, autoritetet kanë arritur të sigurojnë prova të rëndësishme përmes masave të veçanta hetimore.

“Gjatë operacionit në aplikim të masave të veçanta hetimore dhe në infiltrim brenda grupit janë sekuestruar rreth 2 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ‘heroinë’, e cila dyshohet të ketë qenë e destinuar për treg ilegal”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë gjetur armë dhe municion.

“Janë gjetur dhe sekuestruar një numër i konsiderueshëm armësh dhe municioni, përfshirë katër (4) pistoleta, një (1) pushkë gjuetie, dy (2) karikator të pistoletave dhe rreth pesëqind e dyzet e katër (544) fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat mbaheshin në kundërshtim me ligjin përkatës për armët”, thuhet tutje në njoftim.

Në kuadër të aksionit janë sekuestruar edhe dëshmi të tjera materiale:

“Janë sekuestruar para të gatshme, telefona, dy (2) vetura të markave ‘Mercedes GLE’ dhe ‘Land Rover’, të cilat janë përdorur për takime dhe shkëmbim të substancave narkotike, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale të lartcekura”.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj tre personave tashmë është iniciuar procedurë penale.

“Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj tre të pandehurve R.B., A.R., dhe B.B., për veprat penale që ndërlidhen me narkotikë si dhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve… Të njëjtit gjenden në ndalim 48 orësh dhe është parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.”

Të ngjashme