Aksioni i Policisë në veri, armët e sekuestruara dhe deklarata e ministrit Sveçla

Prishtinë | 08 Tet 2024 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës të hënën ka zhvilluar një aksion në Mitrovicën e Veriut, saktësisht ka bastisur një shtëpi ku ka sekuestruar armë, ndërsa dy të dyshuarit janë shpallur në kërkim.

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani ka bërë të ditur se gjatë bastisjes në një shtëpi, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh ushtarake.

Armët e sekuestruar janë: 1 armë zjarri AK-47, 2 granata dore M-75, 2 radiolidhje, 2 antiplumba, kapelë dhe dorëza, çantë ushtarake, karikatorë të zbrazët dhe të mbushur me fishekë të pistoletës, harta, rrip brezi, sprej dhe thikë, shall kamuflazhi.

Policia njoftoi tutje se dy persona të dyshuar, me inicialet A.J., i lindur në vitin 1992, dhe V.J., i lindur në vitin 1978, nuk u gjetën në shtëpi gjatë bastisjes dhe janë shpallur në kërkim nga policia.

Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin e organizuar dhe armët ilegale në veri të vendit, ndërkaq hetimet mbi këtë rast janë në vazhdim.

E pas aksionit ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka përshëndetur aksionin në veri të vendit, ku u sekuestruan armë dhe pajisje për trazira si dhe pajisje për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave.

Sipas ministrit, ky operacion është një dëshmi e mëtejshme se lista e kriminelëve dhe terroristëve që gjejnë strehim në Serbi po zgjerohet.

“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira dhe të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”, tha Sveçla.

Ai theksoi se lufta kundër terrorizmit po vazhdon pa ndërprerje dhe se Kosova nuk do të lejojë që territori i saj të bëhet strehë për kriminelët.

“Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve dhe terroristëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona,” shkroi ministri në një postim në Facebook. /Telegrafi/

Të ngjashme