Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër 11 personave prej të cilëve janë 10 zyrtarë komunalë të Pejës, Istogut dhe Klinës, të cilët dyshohen për veprën penale ‘Keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar’.
Ndaj këtyre 11 personave rëndojnë 23 vepra penale, 21 prej të cilave janë vepra për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dy prej tyre për konflikt të interesit.
“Rezultat i hetimit intensiv ka rezultuar me ngritje të aktakuzës kundër 11 personave. Prej tyre, 10 zyrtarë komunalë, katër drejtorë, dy udhëheqës të sektorëve, dy inspektorë të ndërtimit, 1 zyrtar gjeodet dhe një gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral. Mbi këta 11 të pandehur rëndojnë 23 vepra penale. Vepra këto të cilat janë në kapitullin e korrupsionit zyrtar. 21 vepra janë keqpërdorim i pozitës zyrtare ndërsa 2 vepra janë konflikt i interesit”, ka thënë Prokurorja e rastit.
Gati dy vite më para, Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Prokuroria në Pejë kishin zhvilluar një aksion në në komunat Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, me qëllim të arrestimit të zyrtarëve të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, lidhur me ndërtimet pa leje.