Aktakuzë kundër zyrtarëve që u zunë duke konsumuar kokainë në komunën e Leposaviqit

Prishtinë | 21 Mar 2025 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë  ndaj të pandehurit me iniciale S.S., për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj D.M., dhe S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Prokuroria thotë se gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S., akuzohet se “në objektin e komunës së Leposaviqit në një nga zyrat e komunës e fton të pandehurën D.M. dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës”.

Po ashtu, prokuroria thotë se në një rast tjetër në muajin nëntor 2023, i pandehuri S.S., e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M., dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M., e konsumon përmes hundës,

Po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit pa autorizim shpërndanë substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që  e thërret në banjon e kafiterisë të pandehurën D.M dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e pandehura D.M., e konsumon përmes hundës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre (3) të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit./

Të ngjashme