Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.H., dhe I.I., nga fshati Nerodime, komuna Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri A.I., në cilësinë e personi zyrtar- përkatësisht zyrtar i gjendjes civile, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasuore për vete ose për personin tjetër, me dashje ka shkel ligjin lidhur me detyrat apo punësimin e tij, me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, i pandehuri I.I., me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, e të cilin dokument më pas e ka përdorur me qëllim të krijimit të mardhënieve juridike, me çka ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 395 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK.)
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.