Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të dyshuarve F.K. dhe F.B për dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin.
Sipas aktakuzës, i pandehuri F.K., i ka premtuar përfitim të pamerituar personit tjetër me qëllim që ta ndikojë atë person për të votuar në favor të një personi, në atë mënyrë që më 10 qershor , në një lokal në Prizren, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare personin F.B. e bind që të dalë në vendvotim dhe të votojë për kandidatin për deputet B.K., duke premtuar se për këtë shërbim do të ia paguaj 15 euro dhe duke i ofruar kartelën e kandidatit të lartpërmendur për deputet me dy numra, njëri numër i subjektit politik dhe tjetri i vetë kandidatit, pastaj edhe lapsin kimik me video-kamerë me ngjyrë të zezë për ta incizuar – fotografuar aktin e votimit për kandidatin gjegjës.
“Ndërsa, sipas aktakuzës, i pandehuri F.B., ka pranuar ofertën apo premtimin për përfitim të pamerituar për vete, për të votuar në favor të një personi, në atë mënyrë që më 11 qershor shkon në vend votimin përkatës të Qendrës së Votimit, të vendosur në shkollën e mesme teknike “11 Marsi” në Prizren dhe me lapsin kimik me video kamerë, me ngjyrë të zezë, kryen aktin e votimit për kandidatin e lartpërmendur për deputet, me ç ‘rast zbulohet nga vëzhguesi i vendvotimit përkatës”, bën të ditur Porkuroria e Prizrenit.