Burimet e “Betimi për Drejtësi”, kanë bërë të ditur se aktakuza e ngritur të mërkurën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar është ngritur ndaj ish-shefit të Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi dhe ndaj drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Ndërkaq, ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale “privim i kundërligjshëm i lirisë”.
Ndryshe, të mërkurën, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve me iniciale D.G, V.K, dhe Rr.S. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se aktakuza është ngritur për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit D.G, V.K, kanë veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Ndërkaq, i pandehuri Rr.S, ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në aktakuzë ka propozuar që pas administrimit të të gjitha provave në shqyrtim gjyqësor, të pandehurit t’i shpall fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënoj sipas ligjit.