Akti i të bindurit dhe pasojat

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 14:43 | Nga Holta Heba

Të qenit qytetar dhe konsumator i informuar kërkon mbështetje në parimin e të bindurit. Ne, konsumatorët e mesazheve me të cilat përballemi çdo ditë duhet të mprehim mendimin kritik për të përthithur dhe përdorur me efikasitet çdo komunikim që na vjen nga politikanët, shitësit dhe grupet e ndryshme të interesit.

Askush nuk ka kohë të tepërt për t’iu dhënë vëmendje elementeve që nuk janë jetike. Në fakt, komunikimi lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e të bindurit, i cili nuk është gjë tjetër veçse një proces i fuqisë për të ndryshuar apo për të përforcuar besimet dhe veprimet e njerëzve të tjerë.

Të gjitha profesionet në botë komunikojnë dhe si qëllim parësor kanë të bindin konsumatorin e ideve, mallrave, bindjeve etj.

Puna e politikanit, avokatit, shitësit, administratorit dhe këshilltarit lidhet ngushtë me aftësinë për të na bindur ne njerëzit që të ndjekim këndvështrimin dhe interesin e tij, ose që të ndryshojmë këndvështrimin e kundërt me të.

Megjithatë, idetë dhe bindjet jo të njëjta, janë pjesë e pashmangshme e shoqërisë civile, pasi në të kundërt nuk do të ekzistonte as folësi bindës dhe as audienca që duhet të bindet. Në këtë gamë të madhe të mesazheve që na ofrohen, nuk na ngelet gjë tjetër veçse të mbajmë në gatishmëri shqisat e të kuptuarit dhe të përzgjedhurit të informacionit që është në shërbim të interesave tanë jetikë.

Politikani i drejtohet një audience të caktuar dhe aftësia e tij për ta bindur atë është parësore. Detyra kryesore që i vë vetes është të sillet si profesionist dhe avokat i interesave të përbashkët me audiencën. Bëhet njësh me dhimbjen, interesin dhe ideologjinë e saj, si dhe sigurohet që metodat e tij për të bindur të jenë aq të mira saqë dhe kundërshtari të frymëzohet dhe të hidhet në krahun e tij.

Shitësi i një malli kërkon paratë dhe vëmendjen tënde. Ai reklamon dhe rrit aftësinë për të të bindur se si malli që ai tregton nuk gjendet asgjëkund. Shërbimi që të ofron është i një cilësie të lartë dhe metodat bindëse me të folurën informuese kanë si qëllim shitjen e mallit. Të lejon ta provosh atë çka tregton duke të siguruar për një mall të paparë, por teksa përpiqet të të bindë, në kokë i qëndron ideja fikse se (malli që blihet nuk kthehet).

Këshilltari, pasi ka kuptuar këndvështrimet e drejtuesit e kalon të bindurin në një proces psikologjik. Kupton se cilat janë interesat dhe ruan me fanatizëm idetë e tij duke mos gabuar në atë çka ai ka si synim. Detyrës së tij si këshilltar i aspiratave të drejtuesit, i shtohet aftësia për ta psikologjisur atë si dhe aftësia për të përdorur metodat bindëse duke e drejtuar drejt interesave të kërkuara.

Specialisti i marrëdhënies me publikun sigurohet të përdorë metoda etike për të përcjellë mesazhin bindës te dëgjuesi, pavarësisht situatave që mund të krijohen. Që ky i fundit të bindet, specialistit të marrëdhënies me publikun i duhet të plotësojë patjetër kushtin e të folurit dhe të bindurit brenda etikës. Mesazhi që ai jep nuk mund të jetë kurrsesi joetik edhe ai shfaqet gjithnjë si një njeri i mirë që flet mirë. Një e folur joetike nuk është se sjell rezultatet e duhura për sa i përket bindjes së dëgjuesit.

Ne, audienca e gjithë këtyre mesazheve që na ofrohen na duhet të vlerësojmë në mënyrë të pandërprerë atë që na prezantohet, ofrohet dhe arsyetohet nga profesionistët e procesit të bindjes.

Ne, dëgjuesit e këtyre folësve të mirëstërvitur besojmë në atë që na ofrohet, pasi jemi të përfshirë dhe pasojat e bindjes prekin direkt qëllimet dhe synimet tona. Si rrjedhojë, nuk mund të qëndrojmë duarlidhur dhe gojëmbyllur, por minimalisht përpunojmë mesazhin që na vlen.

Këta folës të aftë për të bindur, të cilët nuk janë të paktë në numër, kërkojnë votën, kohën, paratë dhe vëmendjen tonë. Jemi ne ata që duhet të mbajmë në këmbë fuqinë e mendimit kritik për të kuptuar se cili mesazh nuk na humb votën, kohën, paratë dhe vëmendjen. Punë e vështirë në fakt, në gjithë këtë mori tipologjish dhe stereotipash, ku këndvështrimet janë të përafërta ose të kundërta!

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme