Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për sulmin me zollë ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Beqir Kalludra ka shqiptuar gjithsej 21 vjet e gjashtë muaj burgim ndaj katër të akuzuarve. Frashër Krasniqi u dënua me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi me 6 vjet; Egzon Haliti me 5 vjet e gashtë muaj burgim dhe Adea Batusha me 2 vjet burgim.
Ata akuzoheshin për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016 ndaj Kuvendit të Kosovës.
“I akuzuari Atdhe Arifi, pas kontaktit me telefon me Eset Ramadanin, i cili kishte vënë në internet në ueb-faqen merrjep.com, ka blerë motoçikletën ‘Yamaha 125’ dhe të nesërmen me datën 17, rreth orës 18:00 deri në orën 19:00, tre të dyshuarit Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe tashmë të ndjerin Astrit Deharin janë takuar në parkingun e autolarjes ‘Balia’, afër qendrës tregtare ETC në Fushë-Kosovë janë dakorduar për shitblerjen e biçikletës me çmim prej 500 eurosh, duke mos kërkuar lidhjen e kontratës në formë të shkruar dhe dokumentacionin përkatës”, thuhet në aktgjykimin që e ka lexuar gjykatësi Kalludra.
“Më pas, të njëjtit me motoçikletën e siguruar, me datën 04.08.2016, rreth orës 23:00, kanë shkuar në afër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga parkingu që gjendet përball ndërtesës së Kuvendit, përkatësisht në rrugën ‘Zenel Salihu’ përkatësisht tek ish-objekti i Gjykatës Komunale, me raketahedhës dore “RPGJ”, kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, me ç’rast janë prekur muri në mes të sallave numër 301 dhe 402, i katit të katërt, duke mos shkaktuar pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale në muret e ndërtesës nga ana e rrugës ‘Agim Ramadani’ dhe disa dritare dhe vetura zyrtare, të cilat ishin të parkuara në parkingun e ndërtesës dhe më pastaj kanë ikur me motoçikleta në drejtim të rrugës “1 Tetori”, në Prishtinë”, lexoi Kalludra.
Gjatë shpalljes së vendimit pati pakënaqësi të mëdha nga familjaret dhe aktivistët e Vetëvendosjes, me ç’rast disa prej tyre janë nxjerrë jashtë seancës. Në mesin e tyre ishte dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi
Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti, ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike.
Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Astrit Dehari, i cili në nëntor të vitit 2016, vdiq në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.