Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se Gjykata u ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, katër aktivistëve të cilët po akuzohen për terrorizëm.
Aktivistëve të VV-së Adea Batusha, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Atdhe Arifi masa e arrestit shtëpiak u është vazhduar deri më 28 gusht kur edhe bëhet një vit që nga mbajtja.
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar gjyqtarin e rastit Beqir Kalludra, se po vazhdon padrejtësinë ndaj aktivistëve nën akuza të montuara politike
“Vendimi i gjykatës është kopje e atij të dy muajve më herët. Kjo kopje tregon për dëshirën për t’i mbajtur aktivistët brenda dhe jo për të vendosur drejtësi. Në vendimin e kaluar shkruante se ata mbahen për shkak se në agjendë politike është çështja e demarakacionit dhe se lirimi i tyre mund ta paraqiste rrezik. Njëjtë, edhe në vendimin e sotëm, shkruan ashtu, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe se kjo çështje nuk është më në agjendë”, thotë VV.
Heqja e lirisë për katër aktivistë të rinj sipas VV, krejt të pafajshëm se për çka akuzohen, tregon për një shtet me drejtësi të shpërfytyruar. Ata po mbahen pa fakte. I vetmi fakt në lidhje me mbajtjen e tyre është dëshira e pushtetit nga qeveria e kaluar.
“Lirimi sa më parë i tyre është shenjë për çlirim të drejtësisë. Deri atëherë, ata janë prova e një shoqërie që funksionin me diktat”.