Aktori Danny Masterson, i njohur më së miri për rolin e tij në serinë televizive “That ‘70s Show”, është akuzuar për përdhunimin e tri grave në fillim të viteve 2000. Ai është akuzuar për përdhunimin e grave, që të gjitha në moshën 20-vjeçare.
Përdhunimi i tyre dyshohet se ka ndodhur mes viteve 2001 dhe 2003. 44-vjeçari Masterson ka mohuar akuzat dhe ka bërë të ditur se Kisha e Sajentologjisë është duke i prirë mbrojtjes në procedurat gjyqësore.
Në rast se shpallet fajtor, aktori mund të përballet me dënimin deri në 45 vjet burgim. Prokurorët nuk kanë ngritur akuzë për dy rastet e tjera, për shkak të provave të pamjaftueshme. Tom Meserau, avokat i aktorit, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm, transmeton KOHA.
Në vitin 2017, Netflixi i kishte kërkuar sqarime aktorit pas publikimit të komedisë “The Ranch”. “Kurrë nuk jam akuzuar për ndonjë krim. Në këtë shtet je i pafajshëm derisa nuk ka prova se je fajtor”, kishte thënë aktori. “Sidoqoftë, në kohën që po jetojmë, duket se sapo akuzohesh, je edhe fajtor”, kishte shtuar aktori.
Masterson është i martuar me aktoren dhe modelen Bijou Phillips që prej vitit 2011. Gjatë vitit 2019, katër gra të tjera i akuzuan Mastersonin dhe Kishën e Sajentologjisë se pas ngritjes së padisë ato janë ndjekur vazhdimisht.
Seria “That ‘70s Show”, në të cilën luajtën edhe yjet si Ashton Kutcher dhe Mila Kunis, nisi transmetimin në vitin 1998. Ishte pjesë e ekraneve televizive deri në vitin 2006.