Tim Burton dhe Monica Bellucci, kanë vendosur të ndjekin rrugë të ndara pas dy vitesh lidhjeje, siç u njoftua të premten, më 19 shtator, përmes një deklarate të përbashkët.
Regjisori i njohur dhe aktorja italiane, të cilët ishin në një marrëdhënie që nga prilli i vitit 2023, bënë të ditur se ndarja e tyre është bërë “me shumë respekt dhe me kujdes të thellë për njëri-tjetrin”.
“Me shumë respekt dhe kujdes të thellë për njëri-tjetrin, Monica Bellucci dhe Tim Burton kanë vendosur të ndajnë rrugët e tyre”, thuhet në deklaratën e publikuar nga DailyMail.
Monica Bellucci dhe Tim Burton janë njohur për herë të parë në vitin 2006, por lidhja e tyre nisi pas takimit në Festivalin Lumière në Lion në vitin 2022, ku regjisori mori një çmim nga vetë aktorja.
Lidhja e tyre u konfirmua në qershor të vitit 2023, kur Bellucci deklaroi për Elle France: “Ajo që mund të them është se jam e lumtur që e kam njohur këtë burrë, para së gjithash”. Ajo shtoi më tej: “Është një nga ato takime që ndodhin rrallë në jetë… E dua Tim-in dhe kam shumë respekt për të”.
Çifti bashkëpunoi në filmin “Beetlejuice Beetlejuice”, ku Tim Burton ishte regjisor, ndërsa Monica Bellucci interpretonte rolin e Dolores, ish-bashkëshortes së personazhit të luajtur nga Michael Keaton.
“Jam shumë e nderuar që jam pjesë e këtij filmi dhe që hyj në botën e Tim-it”, kishte deklaruar aktorja italiane, duke e përshkruar Burton-in si “një artist që di të krijojë situata fantastike, të frikshme, komike dhe prekëse njëkohësisht”.
Monica Bellucci ka qenë më parë e martuar me aktorin Vincent Cassel (1997–2013), me të cilin ka dy vajza, ndërsa ka pasur edhe një lidhje me artistin Nicolas Lefebvre deri në vitin 2019.
Nga ana tjetër, Tim Burton ka qenë në një lidhje afatgjatë me aktoren Helena Bonham Carter, me të cilën ka dy fëmijë, përpara se të ndaheshin në vitin 2014.
