Aktorja Yllka Gashi ka thënë se shpresojnë që filmi “Zgjoi”, do të nominohet për çmimet e “Oscar”.
Ajo në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se e gëzon fakti që edhe nëse nuk nominohet për “Oscar”, filmi “Zgjoi” do të mbetet në histori.
“Jemi shumë me fat që filmi ka komunikuar shumë mirë kudo që është shfaqur në botë me publikun, me kritiket. Jemi shumë mirënjohës dhe ndihemi me fat. Ne flasim vet për punën tonë tingëllon jo modeste dhe subjektive, kështu që unë nuk flas në cilësinë e filmit sepse flasin çmimet, flet publiku më së miri dhe çfarëdo që të ndodhë me 8 shkurt, shpresoj që do të gëzohemi por edhe nëse nuk ndodh kjo më gëzon fakti që ‘Zgjoi’ do të mbetet një vlerë historike për kinematografinë tonë që ka thyer rekorde botërore”, ka thënë ajo.
Aktorja ka deklaruar se pritjet janë që të nominohen për çmimet “Oscar”.
“Pritjet dhe dëshirat janë si krejt të tjerëve. Për mua është subjektive çdo gjë që flas sepse është filmi im, puna ime por nuk është veç e imja por e krejt ekipit. Presim dhe shpresojmë që të nominohemi. Do të ishte historike jo veç për neve, karrierat tona por edhe për shtetin tonë”, ka thënë ajo.
Gashi deklaroi se nuk do të kishte logjikë nëse ndonjë film tjetër do të konkurronte në “Oscar”.
“E kam pritur që Kosova do ta çoj këtë film këtë vit, sepse ka qenë më i suksesshëm. Nuk kish pas logjikë tjetër që asnjë film tjetër këtë vit përveç ‘Zgjoit’ që të konkurrojë në ‘Oscar’”, tha ajo.