Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj nuk janë paraqitur në seancën e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Në seancë munguan edhe avokatët e të akuzuarve.
Avokati i të akuzuarit Faruk Mujka, Xhafer Tahiri, sipas gjyqtares Violeta Namani Hajra, e ka arsyetuar mungesën, me probleme shëndetësore të familjarit tij.
Ndërsa, avokati Ahmet Tahiri, sipas gjyqtares e ka arsyetuar mungesën me një seancë tjetër, në të njëjtën gjykatë.
Seanca është shtyrë për 20 tetor, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.
Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.

