Akuzat për ryshfet, qeveria e Maqedonisë së Veriut i mohon

Prishtinë | 23 Tet 2018 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Qeveria maqedonase këmbëngul se askush nuk i ka korruptuar ligjvënësit e opozitës të votojnë në favor të marrëveshjes historike të ndryshimit të emrit, e hedh poshtë edhe raportet se është ofruar rrëzimi i akuzave për deputetët që janë aktualisht duke u gjykuar në disa raste të profilit të lartë.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska, e cila është gjithashtu nënkryetare e Partisë Socialdemokrate në pushtet, u përpoq të sqaronte se nuk ka asgjë të përbashkët mes procesit politik për miratimin e marrëveshjes dhe proceseve gjyqësore në zhvillim.

“Nuk ka asnjë lidhje mes këtyre dy gjërave”, këmbëngul Sheqerinska. “Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë – shtoi ajo, – nuk do të ndërhyjnë në rrugën e Prokurorisë dhe të Gjyqësorit”.

Akuzat për ryshfet e vulosje paktesh të fshehta nisën të shpërfaqen në vazhdën e votimit të së premtes mbrëma në Parlament, në të cilin 80 ligjvënës votuan në favor dhe 39 kundër, mocionin qeveritar për nisjen e procedurës së ndryshimeve kushtetuese, që lejojnë ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, siç e dikton ujdia me Greqinë e vulosur këtë verë.

Balancën e ndryshuan tërësisht 8 vota të opozitës, e kjo u pa me habi për shkak se deri në ato momente, kreu i saj Hristian Mickoski e kishte bërë të qartë se nisma e ekzekutivit nuk do të mbështetej.

Akuzat për “pazare” sekrete erdhën drejtpërdrejt nga selia e VMRO-së, Sekretari i Përgjithshëm i së cilës, Igor Janushev tha se shumica u ka ofruar disa deputetëve opozitarë ryshfete që shkonin nga një deri në disa milionë euro, në këmbim të votës së tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme