Me 6 milion libra të shitur filozofi zvicerani-britanik është njëri nga ikonat e popullarizimit të filozofisë edhe jashtë universiteteve. Revista zvicerane për konsumatorë MM e ka bërë një intervistë me të, ku ai nuk shpjegon vetëm rëndësinë e «Krishtlindjeve» por më tepër atë të religjioneve. Nga perspektiva e një ateisti të veçantë, natyrisht!
Alain de Botton, shumica e njerëzve nuk besojnë në Zot, megjithatë festojnë krishtlindjet. Pse?
Ngase janë të etur për shoqërim. Sot kjo është dëshira më akute e njerëzve. Ne sot jetojmë në një botë të mbushullimës, por të vetmuar. Ritualet e festës së krishtlindjeve dëshmojnë për një kuptim më të thellë të kësaj vetmie.
Megjithatë jo të gjithë i gëzohen këtij festimi tradicional e për-bashkues me familjen?
Nëse shoqëria kërkon që kjo ditë të jetë ajo gjatë së cilës njeriu duhet të ndihet kushtimisht i lumtur, komplikohet gjithçka. Ne kemi brenda vetes gjithë atë trishtim. Nganjëherë njeriu është pikërisht për këtë fakt i trishtuar; se duhet të ndihet i lumtur kur në fakt nuk është. Për këtë arsye pikërisht në krishtlindje gjitha negativit-etet acarohen edhe më shumë.
Pse pikërisht në krishtlindje ndodhin aq shumë zënka?
Ngase presioni është tepër i madh!
Cila është receta juaj: si të kalohet festa pa kriza të mëdha?
T’i thuash vetes se nuk është dezaster nëse nuk është gjithçka e përkryer. Ne kemi një parafytyrim të caktuar se si duhet të duket festa e Krishtlindjeve. Harrojmë se festa e përkryer është e mundshme vetëm në film. Në jetën reale jemi qenie njerëzore – qenie këto, që maksimum vetëm 10 minuta mund të jenë të lumtura.
Pse festojmë Krishtlindjet, kështu në këtë mënyrë siç bëjmë sot?
Para se t’i festojnë krishtlindjet, para hyrjes në dimrin e thellë, njerëzit paganë shënonin fundin e verës – një lloj proteste kundër Errësirës, të Ftohtit dhe Ashpërsisë së dimrit në ardhje. Kjo festë dikur u tjetërsua në celebrim të së kundërtës: Ngrohtësisë, Dritës, Jetës dhe Mbushullimës. Krishterimi thjeshtë e përvetësoi këtë festë duke e tjetërsuar në këtë formë siç është sot.
Pjesa qendrore e kësaj feste janë dhuratat? Çfarë domethënie kanë ato?
Dhurata është diçka që njeriu e donë për vete por nuk mund ta siguroj vetë. Nëse jeni shtatëvjeçare donë të thotë ta keni një lodër apo një kukull. Me 30 vjet dëshironi parimisht gëzim dhe mirësinë (e tjerëve).
Ne jemi në të vërtetë të etur për dashuri, mirëpo përmbytemi me dhurata materiale?
Shpesh e kemi problem që t’i shprehim ndjenjat tona, si për shembull kur vërtet e duam dikë. Shoqëria (moda) na thotë: nëse ndihesh ashtu atëherë shko blejë një batanije të bukur ose një shishe verë. Dhurata në këtë kontekst është vetëm një Simbol për dashurinë dhe afeksionin.
A nuk është mirë që tu japim fund dhuratave dhe të përqendrohemi më mirë në gjëra vërtet të rëndësishme?
Po, ndoshta. Mirëpo ndoshta duhet edhe të akceptojmë se fjalët nuk mjaftojnë përherë. Është gjë e bukur kur sheh se dikush është munduar për të gjetur dhuratën e duhur. Kur dikush është munduar e menduar ta gjej sendin përkatës për ta bërë tjetrin të lumtur. Ky mund të jetë një proces i rëndë – kështu dhurata bëhet simbol i respektit dhe vëmendjes për tjetrin.
E dini se ç ‘dhuratash do bëni gjatë Krishtlindjeve?
Fëmijët si zakonisht tregojnë vetë se çka duan. Partneri dhe prindit janë më të komplikuar.
Jorrallë fëmijët dëshirojnë gjëra që prindët nuk ua dhurojnë dot?
Po, ata kërkojnë kënaqësi-ra të përkohshme. Prindët mirëpo duhet atyre t’iu transmetojnë vlera të përhershme. Në stilin: Pas 20 viteve do jesh i kënaqur të kesh mësuar foljet franceze në vend se të kaloje kohen me ndonjë lodër luftarake. E kjo i bën prindit njerëz tejet të mërzitshëm.
Çka do të bënit nëse djemtë e juaj dëshirojnë lodra lifte?
Nuk e bëjnë këtë. Ata kanë mëkate tjera.
Ato janë?
Si gjithë bashkëmocanikët e tyre kalojnë për tepër kohë në kompjuter. Krishtlindjet ideale për ta do të ishin të jenë ulur përballë një monitori të madh dhe t’iu shërbehet ushqimi në kohë aty, duke luajtur.
Kështu me siguri nuk do të festohen në shtëpinë e de Botton-ëve krishtlindjet? Do të dekoroni ndonjë kaktus, siç ka ndodhur?
Këtë vit vijmë në Zvicër për skijime. Në hotelin e rezervuar në Aroza me siguri ka ndonjë pishë të dekoruara.
Si u erdhi atëbotë ideja me kaktusin?
Ideja nuk ishte e imja. Unë iu rrëfeva fëmijëve të mi se gjysma e të krishterëve jetojnë në rajone ku gjatë festave është ngrohtë. I biri im i madh atëherë propozoi që të festojmë me një kaktus të dekoruar.
Ju nuk besoni në Zot. Keni shkruar librin “Religjion për ateistë”. Çka konsideroni të mirë në besimet?
Religjionet e kanë kuptuar se njerëzit nuk janë vetëm qenie fizike, por që kanë edhe nevoja shpirtërorë. Ato kërkojnë prej nesh që të jemi të sjellshëm dhe pjesë e shoqërisë. Kjo është një ndihmesë e madhe ngase bashkon njerëzit dhe eviton izolimin.
Çka konsideroni të vlefshme në religjionet e veçanta?
Tek budizmi e perceptoj fascinuese idenë se jeta është vuajtje. Gjithçka pra nis negativisht dhe gjithçka mund të bëhet vetëm më mirë. Tek Islami më pëlqen se njeriu e ka të ndaluar ta imagjinoj Zotin. Ideja aty është: çka do të mendojmë se si mund të dukej Zoti ai s’është ashtu. Kjo për arsye se perceptimi ynë për ta kapur të perëndish-men është i kufizuar dhe ne me garanci do ta imagjinojmë gabimisht
Ju mirëpo nuk besoni në Zot?
Po, mirëpo mua më pëlqen parafytyrimi se njerëzit nuk mund të kuptojmë të gjitha. Ashtu siç nuk mund t’i shohim ngjyra të caktuara në natyrë, ngase sytë tanë nuk munden. Ne duhet t’i lëmë hapësirë mendimit se disa gjëra nuk i kuptojmë dot.
Çka ju pëlqen tek krishterimi?
E gjithë filozofia e faljes, mëshirës, dashurisë së tjetrit, të huajit, të humburit. Pas kësaj qëndron ideja se për gjithë ne jeta është e rëndë, prandaj është detyra jona që të jemi bamirës – dhe atë jo vetëm me dhurim parash. Na detyron në një kuptim më të gjerë që të jemi njerëz për njerëzit. Jezusi shihte të prostitutën: jo si një qenie të keqe por të humbur!
Dhe çka nuk pëlqeni fare në religjion?
Të mbinatyrshmen. Për shembull engjëjt dhe pohimin se disa gjëra ndodhin ngase ashtu donë Zoti.
Disa ju kritikojnë se ju shërbeheni me religjionet ashtu siç ua ka ëndja, shërbeheni me ta si në një bufet – pra merrni vetëm atë që ju pëlqen?
Nëse jeni besimtar duhet të merrni të gjitha ose asgjë, e saktë. Mirëpo si ateist mund të silleni me religjionet si me letërsinë. Ju i keni qejf romanet dhe lexoni diçka nga Tolstoi, Nobakovi ose Thomas Mann-i. Në këtë mënyrë askujt nuk i mbinë ideja të ju thotë duhet të lexoni vetëm Tolstoin dhe çdo libër duhet të jetë vetëm prej tij.
Plotë ateistë militantë janë kritikë me ju. Ata u referohen gjithë atyre gjërave të këqija që ndodhin në emër të religjionit, prandaj edhe mbahen për shkencës dhe kulturës?
Nuk është e njëjta gjë. Shumica e njerëzve që shkojnë në një planetarium magjepsen nga yjet që shohin aty. Ata ndihen të vegjël dhe të parëndësishëm ndaj universit aq të madh. Shkenca nuk dinë se si të reagojë ndaj këtyre ndjenjave të njerëzve. Ajo interesohet vetëm për fizikën e Kozmosit.
Ka mirëpo njerëz që nëpërmjet besimit bëhen intolerantë, pronar të së vërtetës absolute dhe të rrezikshëm?
Kjo nuk ndodhë vetëm në kontekst me religjionin por edhe në politikë, sport dhe arte. Ne nuk duhet ta bëjmë religjionin përgjegjës për këtë. Fajin e ka natyra njerëzore.
Disa thonë me gojë të Karl Marksit, religjioni është opium për popullin. Ka diçka në këtë thënie?
Është e tmerrshme kur një ateist i thotë një besimtari: Ti je gabim, unë kam të drejtë. Nëse besimi dikë e shndërron në një qenie më të lumtur, më të kënaqur ose e bën person më tolerant është super. Unë nuk do ta quaja religjionin si opium por më shumë si një histori të bukur. Dhe mua më intereson çka do të bëjmë nëse nuk i besojmë më kësaj historie të bukur. Mbeten atëherë vetëm ftohtësia dhe dëshpërimi? Nuk besoj. Ne mund ta bëjmë një histori tjetër që rrëfen për problemet e jetës dhe e cila ofron urtësi dhe ngushëllim.
Ne pra përdorim religjionin për të mbijetuar vetminë?
Ka plotë udhë dhe mënyra se si ne mund të përfitojmë nga religjionet. Kur shkohet drejt vdekjes njeriu fton një mjek dhe merr plotë barna. Ndoshta mirëpo njeriu ka nevojë të flasë me dikë – jo vetëm mbi mëlçinë e sëmurë por më shumë për jetën e jetuar. Një mjek këtu s’mund të ndihmojë. Aty kur dikur ishte një prift sot është zbrazëti.
Ose një psikolog?
Nganjëherë. Mirëpo askush nuk thirr një psikolog në çastet para vdekjes.
A vlen filozofia si një zëvendësim i religjionit?
E mundshme po. Mirëpo duhej të bëhej si duhet. Me këtë mendoj se filozofia nuk duhet të ligjërohet vetëm universiteteve, por të marr një vend edhe në jetën e përditshme, aty ku mund të ndihmojë njerëzit në krizë. Filozofimi nënkupton së fundi konfrontimin me realitetin e tmerrshëm se një ditë do të vdesim.
Filozofia si jetëndihmë është edhe ideja që qëndron pas «School of Life» që ju e themeluat para 8 viteve?
Aty ftohen njerëzit njëherë në muaj në një lloj «meshe të së dielës». Tash madje është në program edhe një festë për krishtlindjet. Njerëzit na pyesnin se çka duhet të bëjnë, diçka speciale. Ne i anketuam se çka duan ata të bëjnë? Rezultoi se ata nuk besojnë në storien e krishtlindjeve, por me shumë qejf i kanë këngët e kësaj feste – këndojmë pra!
Ofron shkolla edhe ndonjë workshop për krishtlindjet?
Jo, mirëpo ne kemi diçka për religjion. Në kursin «Si ta mbushim gropën e hapur nga Zoti», aty kërkojmë përgjigjen rreth pyetjes; si dhe me çka ta mbushim zbrazëtinë e krijuar nga mungesa e Zotit.
Përgjigja shkurtimisht?
Ne kërkojmë atë çka kemi humbur me lënien e religjionit pas. Ne përpiqemi të gjejmë alternativa shekullare, të cilat prekin të njëjtat ndjenja mirëpo iu përgjigjen në një formë krejtësisht tjetër.
Po të ishit në Londër si do të festonin krishtlindjet?
Do të hanim me siguri një gjeldeti me patate, si shumica këtu dhe do të shpërndanim dhurata të paketuara si megabonbona.
Përkundër origjinës hebreje prindët e juaj ishin ateistë të bindur. Gruaja juaj është e edukuar nga murgeshat katolike. Si ua rrëfeni Krishtlindjet djemve tuaj?
Të dytë janë shumë kritik, Shumë herët realizuan se nuk ekziston babadimri. Nganjëherë i kërcënoi me babadimrin. Ata reagojnë me plotë mllef: mjaftë më me babadimrin, ai nuk ekziston!
Sipas jush historia e Krishtlindjeve është një iluzion. Megjithatë mund të përfitoni diçka prej saj. Si e zgjidhni këtë paradoks?
Si ateist i them vetes: Jo Zoti ka shpikur Krishtlindjet por njerëzit. Unë duhet patjetër ti besoj asaj për ta konsideruar si interesante. Është si në një roman apo një film: Edhe si fiksion Story mundet të më bëj të qaj. Ajo s’duhet patjetër e vërtetë për të krijuar kuptime dhe ndjenja.
Çka donë të na rrëfejë historia e Krishtlindjeve?
Mbreti i gjithë mbretërve, personi më i shenjtë i gjitha kohërave u lind në një ahur. Mendoni në mesazhin politik që qëndron pas: as para e as flori nuk janë më të rëndësishme, ngase jo e jashtmja por e brendshmja vlen.
Për shumëkë Maria është me e rëndësishme se Jezusi? Çka përfaqëson ajo?
Ajo është nëna ideale. Nëse i afroheni asaj dhe i thoni më përjashtuan nga puna; firma ime bankrotoi; pata një aferë; kam vjedhur diçka, ajo do të thotë: Mos u brengos! Nuk bëhet fjalë për atë se a ekziston apo jo ajo. Ne na duhet dikush, që me garanci përherë na qëndron pranë – një nënë e gjithëpërfshirëse që na fal gjithmonë dhe gjithçka.
Këtë përpiqeni t’ia përcillni fëmijëve?
Po përpiqem (qesh). Si zakonisht mirëpo nuk më dëgjojnë.
BioInfo
Filozofi Alain de Botton (1969) ka mbaruar Historinë dhe Filozofinë në Londër. Përndryshe edhe shkrimtar dhe producent filmash. Deri më tani ka shitur 6 milion libra. Temat kryesore, të ateistit të bindur, ndër të tjera janë edhe Dashuria dhe Religjioni. Në vitin 2008 themeloi në Londër «School of Life». Shkolla merret me dilemat më kryesore të kohës me synimin për të nxitur inteligjencën emocionale. Tashmë ajo ka disa degë në gjithë botën. Nga 2017 hapet edhe në Zürich. De Botton ka lindur në Zürich dhe që nga mosha 12 vjeçare jeton në Londër. Autori bestseller jeton me dy fëmijët dhe të shoqen në Londër.