Policia e Kosovës është njoftuar se në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, është vendosur një bombë.
Aty po mbahej koncerti i tenorit Ramë Lahaj, i cili është ndërprerë nga policia.
Njësitet kompetente policore kanë rrethuar objektin, duke kontrolluar edhe me qen, raporton Telegrafi.
Pas kontrolleve të detajuara bëhet e ditur se nuk është gjetur asgjë, dhe koncerti i tenorit ka vazhduar.
Duhet theksuar Kosova u bë vendi i fundit në Ballkan ku u alarmua për mjete shpërthyese në institucione, pas një varg kërcënimesh në të paktën katër vende të tjera të rajonit në muajt e fundit.
Ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë e shohin këtë situatë si përpjekje për destabilizim të rajonit duke ndikuar edhe në konsumimin e panevojshëm të resurseve policore në këto vende.
Kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Muaj më parë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për alarmet e rreme për bombë por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim.
Policia, nuk ka treguar nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.