Objekti i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është rrethuar përsëri nga policia e Kosovës, pasi që është pranuar një alarm tjetër për bombë, raporton Ekonomia Online.
Lajmin për alarmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti për EO.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës dhe Zjarrfikësit, me c’rast edhe lëvizja e qytetarëve është e kufizuar.