Qeveria suedeze do të ketë fuqinë të mbyllë qendrat tregtare dhe transportin publik nga 10 janari dhe të gjobisë njerëzit që shkelin rregullat, sipas një ligji të ri të propozuar të hënën për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së pandemisë së coronavirusit.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, deri më tani, Suedia është mbështetur kryesisht në masat e distancës sociale vullnetare, duke e ndarë atë nga shumica e vendeve të tjera në Evropë, ku bllokimet e imponuara janë përdorur për të luftuar COVID-19.
“Në situata shumë serioze, qeveria do të jetë në gjendje të vendosë për masa më të gjera për të parandaluar grumbullimin e njerëzve”, tha ministrja e Shëndetësisë, Lena Hallengren në një konferencë për shtyp.
“Kjo përfshin mbylljen e dyqaneve, transportit publik, qendrave tregtare, ose llojeve të tjera të bizneseve që bien nën ligjin e ri”.
Ndërsa qeveria ka theksuar besimin e saj në ndjenjën individuale të përgjegjësisë së suedezëve, asaj gjithashtu i kanë munguar mjetet ligjore për të marrë një qëndrim më të ashpër.
Ligji do të qëndrojë në fuqi vetëm deri në shtator nëse nuk rinovohet.
Qeveria kishte planifikuar fillimisht të prezantonte ligjin në mars, por ka shtyrë një gjë të tillë mes një vale të dytë të infeksioneve që ka vënë nën tension të rëndë shërbimin shëndetësor.
Ndërkohë Suedia regjistroi 6,609 raste të reja me coronavirus të mërkurën javën e kaluar – shifrat më të fundit të raportuara.
Ky vend deri më tani ka parë 8,279 vdekje nga COVID-19, një normë për frymë disa herë më e lartë se ajo e fqinjëve të saj Nordikë, por më e ulët se disa vende evropiane që vendosën për bllokime.