Jordi Alba i ka dalë në krahë Sergio Ramosit, i cili u la jashtë listës së të ftuarve nga selektori Luis Enrique. Mbrojtësi i Barcelonës insiston se veterani i Real Madridit, edhe pse nuk e kaloi një sezon pozitiv, është i rëndësishëm për “Stuhinë e Kuqe”
Selektori Luis Enrique e la jashtë listës së të ftuarve tek Spanja qendërmbrojtësin Sergio Ramos edhe pse i kishte dy vende të lira në dispozicion. Për ta diskutuar një temë të tillë është marrë mbrojtësi i majtë, Jordi Alba.
Ai i ka dalë në krahë mbrojtësit të Real Madridit, për të cilin thotë se ishte i rëndësishëm për “Stuhinë e Kuqe”, përkundër faktit se nuk e kaloi një sezon pozitiv me “Los Blancos”.
“Trajneri e bën listën dhe mendon që t’i sjellë më të mirët e Spanjës. Është e vërtetë që Sergio Ramos nuk e kishte njërin prej sezoneve më të mira, edhe për shkak të lëndimeve, por Sergio është një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne”, deklaroi 32 vjeçari. Luis Enrique i befasoi të gjithë duke e lënë jashtë listës veteranin Ramos, i cili është edhe lider i ekipit.