Albanologia Shefkije Islamaj: Ligjërimi politik po bëhet një shembull i padenjë i edukimit. Duhet të kemi një gjuhë standarde të përbashkët për të gjitha trevat shqipfolëse; Rishikimi apo plotësimi i drejtshkrimit të shqipes sot është i parealizueshëm
Anila Dedaj
Gjuha më e mirë se gjithçka tjetër jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe. Janë këto fjalët e Ismail Kadaresë që të ftojnë të reflektosh rreth asaj që po ndodh me gjuhën shqipe, e përkufizuar si pasqyra e kulturës dhe kombit tonë. Albanologia Shefkije Islamaj analizon për “Shekullin” disa nga çështjet më kritike që prekin qëndrueshmërinë e gjuhës standarde. Sipas studiueses, për jetëgjatësinë dhe funksionimin sa më të mirë të saj në gjithë territorin shqipfolës, në radhë të parë duhet të përkujdesen institucionet shtetërore, autoritetet arsimore, administrata, përfshirë këtu edhe mjetet publike të informimit. “A po ndodh kështu, mund të shtrohet pyetja natyrshëm, mjerisht përgjigjja është negative”. Islamaj flet gjithashtu për gjuhën e përdorur në medie. Sipas saj, gjuha e disa medieve elektronike i ngjan më shumë gjuhës së përditshme, aq sa rrezikon të bjerë pre e një vulgarizimi a banalizimi të ri duke rrënuar parimet e kulturës së ligjërimit dhe komunikimit. Po me ligjërimin politik çfarë ndodh? Për studiuesen, diskursi politik, përmes një gjuhe të vrazhdë e urrejtëse, po bëhet shembull i padenjë i edukimit, jo vetëm gjuhësor, po edhe etik e moral. Në këtë intervistë, ndër të tjera albanologia jep këndvështrimin e saj edhe lidhur me debatin për rishikimin e drejtshkrimit të shqipes. Islamaj, shprehet gjithashtu lidhur me të ardhmen e gjuhës standarde në trevat shqipfolëse, veçanërisht në Kosovë. Sipas albanologes e ardhmja e përbashkët, e përparuar dhe qytetëruar, vjen duke pasur mbi të gjitha një gjuhë dhe etnitet të përbashkët përpos historisë gjuhësore, “Shqiptarët, sikur dje edhe sot e dinë cila është rruga e tyre, prandaj shqipja standarde do të vazhdojë të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, edhe e shqiptarëve të Kosovës”
Zonja Islamaj shumica e popullsisë shqiptare nuk arrijnë të përvetësojnë shqipen standarde. Sipas jush cilat janë shkaqet e një situate të tillë?
Gjuha standarde shqipe në gjithë hapësirën e shtrirjes së saj, në të vërtetë të pranimit e të përdorimit të saj, funksionon relativisht mirë në formën e shkruar, natyrisht me dallime e shpërpjesëtime gjeografike e sociale. Për arsye të ndërndikimit gjuhë e folur – gjuhë e shkruar dhe anasjelltas, mund të thuhet se qëndrueshmëria e të dyjave është relative, sepse më në fund edhe vetë gjuha standarde, siç e thonë studiuesit e proceseve standardizuese, shpreh njëfarë baraspeshe të paqëndrueshme midis statikes dhe zhvillimit. Dhe kjo vlen për çdo gjuhë standarde e për më tepër për një standard siç është ai i shqipes me moshë më pak se gjysmë shekulli e me hapësirë funksionimi të copëzuar politikisht e administrativisht. Mund të thuhet se hapësira e funksionimit të saj nuk është e njësishme për arsyet e mirënjohura, ndërsa edhe vetë faktorët ndikues sot janë të shumtë, të ndryshëm dhe këmbëngulës. Për qëndrueshmërinë e gjuhës standarde, në të vërtetë për jetëgjatësinë dhe funksionimin sa më të mirë në gjithë territorin shqipfolës, në rend të parë duhet të përkujdesen institucionet shtetërore, autoritetet arsimore, administrata, përfshirë këtu edhe mjetet publike të informimit. A po ndodh kështu, mund të shtrohet pyetja natyrshëm, mjerisht përgjigjja është negative.
Po si qëndron puna në Kosovë e në trojet shqiptare përreth saj?
Një situatë më e veçantë na paraqitet në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë. Siç është e mbarënjohur, shqiptarët e Kosovës kanë filluar ta mësojnë gjuhën standarde këtu e pesëdhjetë vjet më parë kur u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e cila i vuri pikë rrugës veçuese jo vetëm gjuhësore nëpër të cilën po ecnin shqiptarët, hapi rrugën e njësimit tonë gjuhësor dhe bëri që Kongresi i Drejtshkrimit, që do të mbahet katër vjet më vonë, të quhet kongres mbarëkombëtar. Ata, në nismë dhe përgjatë viteve në vijim, do ta mësojnë gjuhën standarde vetëm përmes formave të shkruara, përmes librave dhe shtypit dhe kjo pashmangshëm ka zgjatur kohën e përvetësimit dhe zbatimin e saj të dëshirueshëm. Për rrjedhojë sot kemi situatën që ky shpërpjesëtim midis formës së shkruar dhe asaj të folur të shprehë shkallë të lartë. Faktet shkencore dhe dijet gjuhësore provojnë se shpërpjesëtimi midis gjuhës së shkrimit dhe gjuhës së folur është dukuri normale sidomos në fazat e para të përcaktimit të një norme të përbashkët për folësit e një gjuhe, për më tepër, kur kjo normë duhet të vlejë për hapësirën gjuhësore e gjeografike me kontekst politik, shoqëror e kulturor shumë të përbërë falë historisë së pafatshme të saj. Por, rruga e filluar mirë, fatkeqësisht do të rëndohet pas ngjarjeve të vitit ’81 për t’u intensifikuar sidomos gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, për arsyet e mirënjohura. Kriza politike, shoqërore, ekonomike dhe lufta sollën vështirësi të reja e natyrash të ndryshme me pasoja sidomos për shkollën shqipe, të cilat u reflektuan negativisht në përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore duke rritur mosdisiplinën gjuhësore dhe ndjeshmërinë për gjuhën. Megjithatë, përjashto do përpjekje skajore për kthim prapa në gjendjen e parastandardizimit, asnjëherë në Kosovë, nuk u lëkund mendimi e qëndrimi për drejtësinë e vendimit të vitit 1968 në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës dhe në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Si e shihni rrugëdaljen? Pothuajse çdo vit mbahen seminare për gjuhën shqipe. A ka një mënyrë që këto seminare të kenë më shumë efikasitet dhe rezultate konkrete duke mos mbetur vetëm si diskutime mes grupeve të kufizuara të interesit?
Mësimi i gjuhës standarde duhet të shoqërohet kudo e kurdo me veprime konkrete e përmes një procesi të vazhdueshëm të shkollës, të mjeteve të informimit dhe të veprimtarisë botuese. Në Kosovë, këto veprime dhe këto procese janë shoqëruar me vështirësi e mungesa. Në këtë kontekst mund t’i bëhen vërejtje planifikimit gjuhësor në nivel institucional, në të vërtetë duhet të thuhet haptas se ka munguar dhe mungon edhe sot politika reale gjuhësore në këtë drejtim, edhe në shkallë të gjerë kombëtare. Nuk çohen këto procese përpara vetëm me vullnetin dhe gatishmërinë individuale, as vetëm me ndjenjën patriotike. As vetëm me organizmin e seminareve dhe konferencave. Në jo pak diskutime, në jo pak shkrime, në jo pak veprimtari të institucioneve shkencore a të shoqatave vullnetmira janë shtruar probleme të ndryshme që lidhen me pakënaqësinë me gjendjen në kulturën gjuhësore në përgjithësi, po sidomos me kulturën gjuhësore të brezit të ri. Mungesa e disiplinës gjuhësore, kujdesi i pamjaftueshëm, puna jo e duhur e shkollës, ndikimi i keq i mjeteve të informimit, neglizhenca e institucioneve përkatëse – janë vetëm disa nga shqetësimet që në vazhdimësi janë shtruar në konferenca shkencore e seminare, po edhe në gazetat e revistat shkencore për këto probleme. Në të vërtetë, shqipja standarde, jo vetëm në Kosovë, është vënë edhe para sprovash të tjera, rrjedhojë e kontekstit të ri socio-gjuhësor, që lidhet me rrethanat e ndryshuara politike e shoqërore, me zgjerimin e madh të kontakteve brendashqiptare, me hapjen ndaj botës, me dinamizimin e jetës, me përhapjen e formave të ndryshme të komunikimit bashkëkohor, me problemet që sjell globalizimi etj.
Mendoni se “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” ka nevojë për rishikime? Nëse po, cilët nga vendimet që u morën në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe duhen riparë?
E para që duhet të thuhet është kjo: rishikimi i drejtshkrimit të shqipes, e aq më pak ndryshimi i tij, nuk e përmirëson gjendjen për të cilën po flasim. Përkundrazi. Në veprimtaritë standardizuese të shqipes, në hartimin e teksteve normëzuese kanë marrë pjesë, siç dihet, studiuesit tanë më të njohur, njohësit më të mirë të shqipes: profesor Eqrem Çabej, prof. Androkli Kostallari, prof. Mahir Domi dhe profesor Emil Lafe, sigurisht të mbështetur fort nga një numër i madh studiuesish të njohur të gjuhës. Është shfrytëzuar erudicioni e kompetenca e tyre, si dhe parimet e tyre moralo-shkencore. Prej asaj që na ofrohet në këtë histori të gjuhës standarde del se ata janë pajtuar që standardi i përzgjedhur përmbush kriteret themelore që shtrohen para një forme të tillë të gjuhës; janë pajtuar se baza e përzgjedhur dialektore ka paraqitur shkallë të lartë normëzimi; se gjuha e krijuar standarde del e përpunuar në të gjitha nënsistemet, se ajo shpreh mundësi të gjera për pasurim nga shumë anë: nga shqipja e shkruar që prej fillimeve e përkëtej, nga të folmet e ndryshme të shqipes, rrjedhimisht edhe nga të folmet e gegërishtes në vijë të gjerë horizontale dhe nga gjuhët e huaja, natyrisht duke i përshtatur ato brenda sistemit fonologjik e gramatikor të standardit. Puna dhe përpjekja e tyre në këtë drejtim kërkon vlerësimin dhe nderimin tonë. Rishikimi a plotësimi i drejtshkrimit të shqipes sot është vështirë i realizueshëm, për të mos thënë është i parealizueshëm për arsyet që i dimë mirëfilli të gjithë. Plotësimi ose ndërhyrja në këto rregulla do të duhej të nisej vetëm nga kërkesa reale e dalë nga ana empirike e gjuhës dhe do të duhej të bëhej patjetër prej studiuesve a njohësve më të mirë të gjuhës dhe prej një institucioni me autoritet të pakontestueshëm në shkallë kombëtare, i cili sot mungon. Edhe drejtshkrimi jo i argumentuar mjaftueshëm shkencërisht është më i miri kur respektohet, përdoret e njihet nga të gjithë, sesa ai më i arsyetuari shkencërisht kur nuk respektohet. Ndërhyrjet e papeshuara mirë në drejtshkrimin nuk ndodhin në shoqëritë e qytetëruara. Sa më i qëndrueshëm e sa më praktik të jetë një drejtshkrimi aq më i mirë është ai, por kjo mbetet një ideal dhe synim jo vetëm për shqiptarët. Por, diçka mund të bëhet edhe në këtë situatë – të ribotohet Fjalori drejtshkrimor me plotësime të nevojshme që i ka sjellë koha, si dhe të hartohet Fjalori i madh i gjuhës shqipe që vazhdon t’i mungojë shqiptarëve, gjuhësisë shqiptare dhe kulturës shqiptare.
Ç’mund të na thoni për rolin e medieve dhe përdorimin e shpeshtë të fjalëve të huaja ?
Për mediet dhe pozitën e tyre në shoqërinë shqiptare mund të flitet nga këndvështrime të ndryshme -kulturologjik e sociologjik, politikologjik, gjuhësor e stilistik, sepse gjuha e medies është gjuhë e veçantë dhe e drejtojnë ligjësi të veçanta. Një aspekt i veçantë e i rëndësishëm është edhe qëndrimi i tyre ndaj normës gjuhësore dhe ndaj “normës” stilistike. Ligjërimi në medien e re shqiptare ka formësuar tri dukuri themelore: ndërveprimin, të quajtur me terminologjinë e kësaj fushe interaksion, virtualitetin dhe gjithëpërfshirjen, përmes të cilave hetohen përpjekjet që të përcaktohen, identifikohen, përshkruhen dhe shpjegohen normat e “reja” gjuhësore dhe stilistike, normat e “reja” komunikuese dhe pragmatike. Ky ligjërim i ri dhe ky kontekst i ri në botën e komunikimit global, që shpreh prirje zhvilluese shumë dinamike edhe në hapësirën shqiptare, ka sjellë ndryshime të ndjeshme edhe në strukturën e vetë segmentit komunikues, ka ripërkufizuar botëkuptimin dhe subjektet që marrin pjesë në këtë komunikim dhe ka lëkundur kufirin që ekzistonte ose që duhet të ekzistojë midis ligjërimit publik dhe atij privat, në të vërtetë midis gjuhës publike dhe asaj private. Nga ky anëvështrim mendoj se duhet të nisin edhe diskutimet për gjuhën, zbatimin e normën gjuhësore po edhe për stilin dhe stilistikën e medieve të reja elektronike. Edhe me vetëm një vështrim sipërfaqësor të gjuhës e të stilit të disa mjeteve të informimit, të shkruara dhe elektronike, mund të nxjerrim përfundimin se media e re, me dallime jo të vogla në shtrirjen e saj në mbarë arealin shqipfolës, shpreh: mosnjohje, mosrespektim dhe shpërdorim të normës gjuhësore, po edhe tepri e përsëritje të ndjeshme të informacioneve që e lëndojnë normën stilistike. Po kështu, mund të thuhet se gjuha e disa medieve elektronike i ngjan shumë gjuhës bisedore, se ligjërimi është i mbushur me kalke dhe me gjedhe të palejueshme fjalëformuese etj., se është stërmbushur me fjalë e ndërtime të huaja, të tilla që mund të vlerësohen gjuhësisht jo të drejta e të panevojshme, kurse stilistikisht të padëshirueshme. Pleonazmat dhe stilizimi i dobët janë një veçori tjetër që e ndeshim në këto medie. Figurshmëria, njëra ndër shënjuesit më shprehës të stilit publicistik, është rrëgjuar në disa figura të harxhuara shkollore, për më keq nuk po shfrytëzohen në masën e dëshirueshme hapja e leksikut, risimtaria gjuhësore, purizmi (pozitiv) dhe ekonomizimi gjuhësor. Komunikimi përmes internetit dhe sidomos përmes telefonave mobilë ka sjell krijimin edhe të stileve të reja ligjërimore. Në këtë kontekst këto risime po shoqërohen edhe me një tip tjetër të jokulturës sonë ligjërimore – me një vulgarizim a banalizim të ri e të veçantë gjuhësor, që shprehet pos me rrënimin e qëllimshëm të parimeve mbi të cilat ndërtohet kultura e ligjërimit, edhe me rrënimin e kulturës së komunikimit në përgjithësi dhe të normës gjuhësore në veçanti.
Si mund të përcaktohet në këtë kontekst ligjërimi politik?
Diskursi i sotëm politik, përfshirë këtu diskursin debatues e diskursin propagandues sidomos në media elektronike, në televizionet e shumta, në të dy anët e kufirit, shfrytëzon mjete nga më të ndryshmet gjuhësore. Përmes një gjuhe të papranueshme, në të vërtetë, përmes një gjuhe shumë shpesh dezinformuese e dhe me të pavërteta, një gjuhe të vrazhdë e urrejtëse, po bëhet shembull i padenjë i edukimit jo vetëm gjuhësor, po edhe i edukimit etik e moral. Fatkeqësisht.
Dhe së fundmi, ç’mund të thuhet shkurt për të ardhmen e gjuhës standarde në këtë 50 vjetor të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës?
Përvjetorët kanë jo vetëm rëndësi dhe kuptim shënues por edhe rikujtues. Na i rikujtojnë vendimet e mëdha dhe na hapin sytë për ecjen tonë para. Shqiptarët, sikur dje edhe sot e dinë cila është rruga e tyre, prandaj shqipja standarde do të vazhdojë të mbetet gjuha e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, edhe e shqiptarëve të Kosovës, sepse duke pasur një gjuhë të përbashkët, duke pasur një etnitet të përbashkët e një histori të përbashkët gjuhësore, shqiptarët do të kenë edhe një ardhme të përbashkët, të përparuar e të qytetëruar. Ne sot ndodhemi në fazë të re të historisë së kombit, prandaj edhe të shqipes standarde: do ta kemi një gjuhë standarde sepse jemi një popull, kemi një territor homogjen historik, kemi historinë e përbashkët, kulturën e përbashkët, mitet e përbashkëta dhe ndjenjat e përbashkëta. Me vendimin që morëm në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, ne, shqiptarët e Kosovës dhe ata që jetonin në trojet e tyre në ish Jugosllavi dhe me vendimin që morëm në Kongresin e Drejtshkrimit ne, të gjithë shqiptarët bashkërisht, bëmë hapa të mëdhenj: nga gjendja e një kombi tradicional e arritëm te bëhemi komb modern. Dhe, natyrisht, duhet te sillemi në të gjitha pikëpamjet dhe në të gjitha fushat e jetës si komb modern. Dhe me të gjitha këto dhe për te gjitha këto kemi arsye shumë që të mburremi si komb.