Edhe pas dështimit të takimit të fundit, zërat që i kërkojnë Albin Kurtit, një sakrificë ekstreme për formimin e qeverisë, po insistojnë me këmbëngulje.
Çështja po shtrohet sikur, nëse Vetvendosja heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, nëse ajo pranon ta trajtojë të porsazgjedhurin Glauk Konjufca si hyzmeqarët e padinjitetshëm të partive me një pronar të vetëm, gjithçka zgjidhet pa pengesa.
Në fakt, kjo është një përshtypje iluzive, ku ngërçi i fundit mban të fshehur një hendek më të madh. Frika nuk është më se LDK do me çdo kusht drejtimin e parlamentit, problemi është se ajo nuk do më marrëveshjen.
Provat që e dëshmojnë këtë janë disa.
Kur Konjufca nuk ishte zgjedhur ende, ish partia e Rugovës kishte kushte të tjera. Vetoja e saj vendosej për presidentin apo ministrin e Brendshëm. Me stilin e atij që do të gjejë sebep për sherr, deputetët e saj pranuan ta votonin kreun e parlamentit të propozuar nga Vetëvendosja. Po të kishin merakun që tregojnë sot për këtë post, nuk qenë të detyruar ta bënin një akt të tillë. Nuk ia jepnin votat në emër të mbajtjes gjallë të shpresës për një pakt dhe vazhdimit të bisedimeve.
Por, kur e deshi momenti, LDK nuk u soll me përgjegjësinë e dikujt që kërkon zgjidhje. Ndërsa tani, në mënyrë po aq të papërgjegjshme, pa u turpëruar aspak për votimin politik që ka bërë as një muaj më parë, i kërkon partnerit të saj të zhbëjë gjithçka për të gjetur rrugëdalje.
Natyrisht, fabula absurde e votimit me moskokçarje të Glauk Konjufcës, e pasuar menjëherë nga insistimi psikopatik për dorëheqjen e tij, nuk përbën thelbin e mosmarrëveshjeve. Gjatë gjithë kohës LDK është treguar refuzuese ndaj një bashkëpunimi të mundshëm.
Edhe kur nuk pranoi ofertën bujare për koalicion të përbashkët parazgjedhor, me Vjosa Osmanin si prijëse të listës, edhe kur zvarritej të ulej në tryezë pas 6 tetorit, me pretendimin se nuk dihej ende rezultati – pasi gjithë bota veç Isa Mustafës e kishte mësuar atë – ajo dëshmoi një lloj rezerve për t’u përshtatur me frymën e ndryshimit.
Një pjesë e madhe e kësaj partie historike, ndihet më rehat me batakun e botë së vjetër, sesa me të panjohurën e një tronditje të ardhshme. Ata janë më komodë në folenë e gjarprit, sesa në shtëpinë me qira të Albinit; ata kuptojnë më mirë gjuhën e klanit pronto, sesa fjalorin e ashpër kundër oligarkisë; ata më kollaj harrojnë gjakun e Ahmet Krasniqit, Haki Imerit, Enver Malokut, sesa të denoncojnë ish-strukturat kriminale të shikut.
Pikërisht frika e një transformimi radikal, që mori hov me frymën e ngritur para 6 tetorit dhe që u çertifikua të dielën e këtyre zgjedhjeve, ishte makthi i vërtetë i LDK.
Zgjuarsia e burokratëve të saj ishte se ditën ta kapin këtë frymë duke i shitur votuesve fytyrën e Vjosa Osmanit. Bizantinizmi i bashkohësve të Rahman Morinës qe se, sapo mbaruan punë, e rikthyen Vjosën nga lidere në kukull.
Vetëm të para në këtë mënyrë, si rezistencë ndaj transformimit të shoqërisë dhe ndryshimit real politik, aktet dhe sjellja e LDK, marrin një kuptim. Përpara se të dominohen nga dëshira për të komanduar policinë, për të garantuar presidencën, apo për t’u ngërthyer në lojrat qesharake për kryeparlamentarin, aparatçikët që janë në politikë përpara Thaçit, Veselit, apo Haradinajt, i grryen ankthi i një fshese që do spastronte gjithë kastën e vjetër. Makthi i tyre nuk janë postet në qeveri, por përmbysja që po ndodh në shoqëri.
Pikërisht, këtë të vërtetë të thjeshtë duket se nuk po e kuptojnë as Vetëvendosja, as Albin Kurti. Ndoshta me vullnetin për të shpënë deri në fund mesazhin për ndryshim të qytetarëve në 6 tetor, ata po shpërqëndrohen pas detajeve duke humbur thelbin. Sepse mesazhi i gjithë kësaj që po ndodh nuk është tek kleçkat e formimit të qeverisë, por tek pamundësia e bashkjetesës së dy botëve, asaj që imagjinon përmbysjen dhe asaj që shpreson zvarritjen. Për të arritur të parën, as Albini nuk mund të mbështetet tek bastuni i Isës, as Glauku nuk mund të marrë borxh mustaqet e Agim Veliut.
Ka ardhur koha që ata të dorëzohen.
Sa do e dhimbshme qoftë, çasti është që ata ta kuptojnë pamundësinë e së resë për t’u ngritur përmes të vjetrës.
Sepse edhe sikur mrekullia të ndodhë, sepse edhe sikur të supozohet që LDK të heq dorë nga tekat dhe të vendosë për formimin e qeverisë, kabineti i ri, i dalë nga kjo përzierje botësh, nuk mund të jetë një sukses.
Një qeveri e tillë do t’i ngjajë në rastin më të mirë këtyre katër muajve të nevertishëm të bashkëjetesës me LDK.
Kësaj historie i duhet dhënë fund.
Për shpresat që ka ngjallur dhe parimet që ka mbrojtur, Vetvendosjes i shkon më shumë profili i një pakice morale, sesa ai i një mazhorance të korruptuar. Prandaj ajo duhet të fillojë të mendojë edhe për zgjedhjet e reja, pse jo edhe për një opozitë tjetër, duke kujtuar se, për herë të dytë, histoira i dëshmoi që e mira nuk arrihet duke bashkëpunuar me pjesëza të së keqes.