Albin Kurti për Mario Banushin: Një talent shqiptar i jashtëzakonshëm nderohet në Bienalen e Venecias

Prishtinë | 23 Jan 2026 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Regjisori dhe dramaturgu shqiptar i lindur në Greqi, Mario Banushi, ka arritur një tjetër sukses ndërkombëtar duke u nderuar me Luanin e Argjendtë në Bienalen e Teatrit të Venecias.

Ky çmim i njohur, i cili në të kaluarën i është dhënë emrave të mëdhenj si Fellini, Kurosawa dhe Guadagnino, e bën Banushin laureatin më të ri në historinë e tij, duke e vendosur mes talentëve më të shquar të skenës botërore.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e vlerëson lartë talentin dhe dimensionin poetik të krijimeve të tij.

“Pasi triumfoi në disa nga skenat dhe teatrot më të njohura të botës, pasi iluminoi si zbulimi i vitit edicionin e fundit të festivalit prestigjioz të Avinjonit, regjisori dhe dramaturgu shqiptar Mario Banushi, u nderua së fundi me Luanin e Argjendtë… Banushi, 27 vjeçar, pothuaj autodidakt, është laureati më i ri në historinë e këtij çmimi prestigjioz”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti thekson gjithashtu se veprat e Banushit janë të pasura me simbolikë dhe thellësi emocionale.

“Kritika unanime thekson dimensionin thellësisht poetik të krijimeve të tij skenike: Goodbye, Lindita, Taverna Mirësia, Mami, ku sensualiteti i fëmijërisë shpërfaqet me logjikën e mitit dhe të ëndrrës… dhe e quan atë një Tarkovski të teatrit bashkëkohor”, shkroi ai.

Banushi, i rritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, mishëron në artin e tij përvojën e mërgimit dhe jetën diasporike.

“Lindur në Athinë, rritur mes gjyshes në Shqipëri dhe së ëmës e tezeve në mërgim në Greqi, Banushi mishëron dhe shpreh në artin e vet atë realitet që e njohin sot me qindra mijëra bashkatdhetarë”, tha ai.

Kurti uroi për krijimin e kushteve për shfaqjen e tyre.

“Me artin e vet intim dhe universal, Mario Banushi është një nga dëshmitarët më autentikë të jetës shpirtërore të shqiptarëve të shekullit XXI… Uroj t’i krijojmë sa më shpejt kushtet për shfaqjen e tyre para publikut tonë shqiptar.”

Të ngjashme