- Kur e kam bindur babën tim që ta votoj Albinin, më ka thënë:
‘Bijë, ne jemi të Drenicës, ti e di se neve na e kanë inat, ne duhet ta mbajmë njëri-tjetrin’.
- Në vend të
përgjigjes ia kam dhënë emrat që duhet t’i votonte:
E para Saranda, e dyta Vasfija; e treta Adriana, e katërta Donika, i pesti: Vitija.
- Me nanën kollaj.
Ajo nuk ma ka prishur qejfin.
Prandaj, unë i dua ata që më ‘lëmojnë’.
Unë e di që ajo dashuri ‘me lëmime
s’është e vërtetë (është zbukurim
i dashurisë),
por aq magjike më duket ajo ndjenjë, sa që e jap të vërtetën për të, përkohësisht.
S’janë as 3 veta që më
marrin me të mirë ‘më lëmojnë’, fati im, se isha shkrirë.
- Më pëlqen të
shkrihem, e jo të thyhem.
- Sipas Shopenhauer-it, mua më pëlqen të zvogëlohem, se vetëm kur më ‘lëmojnë kokën’, ma ulin kokën.
Dhe vetëm kur e ulë kokën e ndjehem e vogël – unë ndjehem mirë.
- Atëbotë, kur unë e çova peshë Mitrovicën dhe diasporën për Albin Kurtin, ai nuk kishte sekrete.
- Lëre që nuk kishte sekrete, por ua interpretonte të gjithë kundërshtarëve edhe mendimet më të errëta.
- Prandaj, më pëlqente.
Se dukej: shkollar por bandit;
intelektual por rebel;
filozof por popullor;
më pëlqente se dukej edhe arrogant i krisur, i lirë, më i lirë se çlirimi.
- Dhe Liria e bënte lider.
Unë i besoja shumë.
Tash, ku je?
Nuk të gjej.
- E ka zbutur pushteti (ata që të lëmojnë – të zbusin), e shoh që mban sekrete me Serbinë, me evropianët, me krejt mëhallat e botës, e veç popullin e tij e privon nga e drejta për ta ditur fatin e tij, shkruar nga orakulli i Delfit.
A është e mundur?
Është e mundur.
E shihni vet, me Aleksandër Vuçiqin e mban sekret fatin e Kosovës në Asociacion.
- Albini u bë truproje e sekretit të
përkohshëm, se ky sekreti i draftit të
Asociacionit është sekret publik, sekret qesharak, i ndarë me krejt botën, përveç me t’shtëpisë….
se sikur të ishte sekret i përhershëm, nuk do t’i binte hise këtij.
- S’ka gajle që s’është fer, por nuk është punë e mençur të kesh sekrete.
Sekreti ta turbullon mendjen.
Sekreti të rrudhë.
Sekreti të bën të dyshimtë.
Sekreti ta humb kreativitetin.
Sekreti është tregues se Ti s’je i lirë.
Sekreti është i pamoralshëm.
- I ke parë ato gratë
e burrat e zënë në dy-a më shumë afera (ata i quajnë
dashuri se janë të
mjerë, nuk e dinë se dashuria është e lirë, nuk duron pushtet, nuk duron errësirë, nuk duron sekrete.
….
Të ishte mollë e ndaluar – dashuria do të ishte mëkat…
Po si mund ta dijë
çka është dashuria njeriu i robëruar, i bodrumeve, i territ,… e i fshehtësive).
- I urrej sekretet…dhe befasitë.
Sikur ta kisha një sekret, nuk do të mund të
shkruaja të vërtetën, se për ta thënë të vërtetën duhet të
jesh i lirë…
e sekreti të frikëson, të
shantazhon, të
dirigjon…
Prandaj, Liria indkviduale vjen nga pastërtia.
- Albin!
Ti duhet t’ia tregosh shoqes tënde (që nuk i gjendet shoqja), draftin e Asociacionit, jo për hatrin tim, por për të mirën tënde.
Ti nuk je truproje e sekreteve të
përkohshme.
Ata që kërkojnë nga ti t’ua ruash sekretin kundër popullit tënd, ata janë ‘askushi’, nuk janë liderë!
- Se asnjë opozitë, asnjë kundërshtar, asnjë armik nuk të ka dëmtuar më shumë se sa gabimi yt që ke pranuar të ndash sekrete me Aleksandër Vuçiqin, fshehur popullit tënd.
- Është grackë qesharake kjo, që të bën të përdorshëm, sepse as sekret nuk është, që
thashë…
sekreti të lidh me errësirën përgjithmonë, e në rastin tënd sekreti është fals.
- Anipse e kam
ditur se shumë gjatë
do të jesh në pushtet, unë kam shkruar pa pushim kundër teje (shpesh e kam tepruar, e di)…
sepse vërtetë të kam
besuar dhe vërtetë, me loçkë të zemrës jam zhgënjyer. …
Dhe e kam
paguar shtrenjtë, në atmosferën e një
vetmie kozmike.
- Unë ende jam aty ku kam qenë – shpesh vuaj, por Liria individuale më shëron!
- S’di qysh…..ndodhi.., mbeta një idealiste budallaqe që kurrë s’u mbush mend!
- Por, ne mund të pajtohemi, nëse
i përmirëson sjelljet.
- Dhe një ditë baba më tha:
Krejt – krejt, por Donikën pse më the ta votoj.
Kësaj here iu përgjigja:
- Sepse gjithmonë më kanë mashtruar, Miftar (se unë kur hidhërohem i thërras njerëzit me emër e mbiemër).
- Por unë asnjëherë në jetë askënd nuk e kam mashtruar.
Sepse, jam e lirë.
P.S. 25.11.2023.
Borë.
Sikurse gjuha e gojës, asnjë fjollë bore nuk është e njëjtë me tjetrën.
Kjo më jep pak ‘shpresë të ftohtë’, si ‘sarkazma e thatë’
që kurrë nuk arrij ta kuptoj.
- Për dashuri do t’ju shkruaj pasdite.
Se përveç
krizës së besimit, po e kaloj edhe një krizë të dashurisë.
Jam e pafajshme.
- Nëse dal ta kërkoj Zotin që
më ka humbur përpara syve, kam frikë se do ta humb rrugën e s’do të dijë të kthehem në shtëpi.
- Një fustani kuq po thahët mbi telat e ngrohjes.
- Rrotat e dimrit i kam në hotel.
- Në prehër e kam librin e Veli Karahodës ‘Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit’.
Por, e ndala leximin tek faqja 120, veç për një fjalë..
(Ky shkrim u shkrua për së dyti, sepse herën e parë shkrimi m’u ‘zhduk’ para syve…
Veç kush e ka provuar e di çfarë po ndjej, e meqë jam fillikat vetëm, e s’pata kujt t’i qahem…
nuk guxova t’i gjuhem vetes.
/oh, jo. mos. të lutem…jooo…
e lypa në notes, nuk e
gjeta, e qita një kafe…
u mërzita pak dhe e shkruva prej fillimit, e vetëdijshme
se ‘dy herë nuk hyhet në të njëjtin lum’).