Ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeline Albright, ka mbajtur një fjalim emocionues në shënimin e 20- vjetorit të çlirimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se ndjehet e lumtur që është prezente në Kosovë.
Ajo ka shtuar se vendimi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, nuk ka qenë vendim i lehtë, duke zbuluar bisedën që kishte bërë atë kohë me presidentin e 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton.
“Nuk ishte vendim i lehtë, dhe kemi pasur shumë diskutime, dhe presidenti Clinton më telefonoi në mbrëmje dhe më tha planet tona janë nisur dhe ne po e bëjmë gjënë e duhur, i thash po z. kryetar ne po e bëjmë gjënë e duhur”, ka deklaruar Albright.
Ajo ka folur për periudhën e luftës, për takimet me refugjatë dhe për Kosovën që dëshiron ta shoh në të ardhmen.
“Lufta në Kosovë ka qenë një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcave, ne diskutuam se si aleanca jonë ishte bashkuar dhe më e rëndësishmja ishte se ia dolëm. Unë kam vizituar një kamp me refugjatë të Kosovës ku po ecja në tokën me shumë pluhur e djersë, ku ishin mbi 20 mijë të dëbuar. Unë ju thash refugjatëve që kur të kthehen do të jem aty për t’iu ndihmuar për një jetë të mirë dhe normale dhe e ne e përmbushëm këtë premtim, pas një muaji u ktheva me një grup të madh të qytetarëve, e ku kishte shumë emocione dhe shpresë”, tha ajo, raporton EO.
“Kishte ardhur koha të krijohej një periudhë e re, një kohë e re për të gjithë banorët, shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë, mirëpo qytetarët e Kosovës po e bëjnë pjesën tjetër, burra e gra kanë punuar për të vendosur bazat e demokracisë, ju keni mbajtur zgjedhje, keni krijuar media të pavarura, keni krijuar sistem gjyqësor, keni krijuar qeveri lokale dhe qendrore, keni shkuar aty ku Kosova është pjesë normal si pjesë e OKB-së, kjo ka qenë një punë e zellshme dhe qytetarët e Kosovës kanë arsye për t’u mburrur”.