Algjeria mund ta eskalojë mosmarrëveshjen me Marokun dhe të ndërmarrë më shumë hapa pas ndërprerjes së raporteve dhe mbylljes së hapësirës ajrore, tha të premten një diplomat i lartë algjerian.
“Miratimi i masave shtesë nuk mund të përjashtohet”, tha Amar Belani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme përgjegjës për vendet e Maghreb-it, pa treguar se cilat masa mund të shqyrtohen saktësisht, shkruan Reuters.
Marrëdhëniet mes dy shteteve fqinje të Afrikës Veriore kanë qenë të këqija në dekadat e fundit dhe kufiri mes tyre ka qenë i mbyllur nga viti 1994, por janë përkeqësuar edhe më tej shkaku mosmarrëveshjes për Saharanë Perëndimore vitin e kaluar.
Maroku e cilëson Saharanë Perëndimore si territor të vetin, por lëvizja “Fronti Polisario”, i përkrahur nga Algjeria, po e kërkon pavarësinë e këtij rajoni.
Vitin e kaluar, kjo lëvizje tha se do ta vazhdonte përpjekjen e armatosur pas dekadave të armëpushimit dhe pasi Shtetet e Bashkuara ia njohën sovranitetin Marokut në Saharanë Perëndimore në këmbim të përmirësimit të raporteve mes Marokut dhe Izraelit, shtet që Algjeria nuk e njeh.
Në anën tjetër, një diplomat i lartë maroken i ka përkrahur thirrjet për vetëvendosje të rajonit Kabylie, diçka që Algjeria e ka cilësuar si ndërhyrje të papranueshme në punët e saj të brendshme.