Ka kohë që ia ka marrë dorën hulumtimit të imët nëpër arkiva muzesh botërorë, pas Skënderbeut qe figura e Ali Pashë Tepelenës që do ta intrigonte dhe për disa vjet s’iu nda zbardhjes së imazheve të tij në artin botëror. Luan Tashi ka sjellë veprën “Ali Pashë Tepelena në artin botëror”, por nuk ndalet vetëm te portretizimet e tij nga artistë e kronistë anekënd botës. “Është libër bukur voluminoz dhe gjatë studimit të këtij libri kam hasur në shumë informata në lidhje me Ali Pashë Tepelenën. Kam parë që shumë autorë të huaj si shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, janë marrë më këtë personalitet kaq mistik ndoshta për botën shqiptare. Bash misticizmi i tij mua më ka shtyrë të merrem me këtë njeri”, ka thënë Tashi në përurimin e librit, të enjten mbrëma
Për personalitetin që ngjan mistik a legjendë, apo ashtu duket të paktën për disa që ishin prezentë në përurimin e librit “Ali Pashë Tepelena në artin botëror”, profesori i artit, Luan Tashi, i ka bërë imazhet e tij më të afërta. Ky botim shkon përtej. Trajton edhe aspektin historik, ndikimin e tij prej burrështetasi, përballjen me Perandorinë Osmane e deri në ekzekutim më 1822.
Kërkimet shumëvjeçare nëpër galeri, muze, biblioteka, arkiva e koleksione të ndryshme nëpër botë, Tashi ia ka sjellë publikut koleksionin e tij. Janë imazhe të veprave të të gjitha formave, stileve e mediumeve artistike kushtuar njërit prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare e më gjerë.
Figura e Ali Pashës vjen nëpërmjet tushit të artistëve botërorë. Shumë muze botërorë, përfshirë Muzeun Britanik dhe Muzeun Metropolitan në New York strehojnë veprat që kanë për figurë qendrore pashain e kohës së Perandorisë Osmane, i cili pati ndikim të madh jo veç në trojet shqiptare, por edhe në vetë institucionin që e ngarkonte me titullin pasha.
Autori i veprës, Luan Tashi, ka bërë me dije se aty nuk ka vetëm imazhe, por edhe informacione shumë të vyeshme për aspektin historik.
“Libri nuk është vetëm me imazhe por, për shembull, kemi edhe hartën e Janinës, të vizatuar nga një francez. Ai e përshkruan çdo detaj, sikur ta kishte fotografuar prej aeroplanit. Shohim se si dhe në çfarë mënyre e ka organizuar administrimin e Janinës. Mund të themi se ai qytet ka qenë supermodern për atë kohë. Ka pasur bankën, postën, spitalin e grave, të burrave. I ka pasur të gjitha elementet e një qyteti supermodern”, ka thënë ai.
Në promovimin e veprës “Ali Pashë Tepelena në artin botëror – Pararendës i pavarësisë shqiptare”, në librarinë “Dukagjini” të shumtë kanë qenë ata që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Figura e pashait vjen më e plotë nëpërmjet veprës së Tashit.
Artisti bën me dije se pati shumë prej artistëve ndërkombëtarë vetëm për të pikturuar portretin e tij dhe vendet ku ai sundonte.

Në “Ali Pashë Tepelena…” ka lloje të ndryshme imazhesh. Midis tjerash edhe akuarele, vizatime, dorëshkrime, skulptura, harta, fotografi, relieve.
Paraprakisht Tashi ka botuar librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” në vitin 2019. Ka bërë me dije se gjatë punës me këtë vepër ishte ndeshur shpesh me emrin e Ali Pashës dhe prandaj kishte vendosur të thellohej edhe në imazhet e tij në art.
“Është libër bukur voluminoz dhe gjatë studimit të këtij libri kam hasur në shumë informata në lidhje me Ali Pashë Tepelenën. Kam parë që shumë autorë të huaj si shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, janë marrë më këtë personalitet kaq mistik ndoshta për botën shqiptare. Bash misticizmi i tij mua më ka shtyrë të merrem me këtë njeri”, ka bërë me dije ai duke thënë se i kishte analizuar me kujdes burimet.
“Këto dromca të historisë së Ali Pashait janë në libër. Unë kam pasur kujdes që të gjitha këto shënime, të dhëna, të jenë super të sakta. Janë marrë prej shumë burimeve të cilat janë analizuar, janë krahasuar, derisa kemi ardhur tek informata e duhur”, ka thënë artisti Tashi.
Për këtë arsye dhe jo vetëm, historiani Durim Abdullahu e ka konsideruar këtë botim si njërën prej veprave më të arrira të historisë së artit.
“Por që nuk ka të bëjë vetëm me historinë e artit, jo vetëm me biografinë e Ali Pashës. Brenda këtij libri ka dromca të një morie shkencash me karakter historie”, ka thënë ai.
Sipas tij, ka qenë e natyrshme që pas studimit të figurës së Skënderbeut, i dyti të ishte Ali Pashë Tepelena.
Ka thënë se ka qindra imazhe në këtë libër, të gjitha të sjella në rezolucion të lartë.
“Një prej vlerave kryesore të këtij studimi të profesor Tashit është fakti që ai është kujdesur që të sjellë në rezolucion të lartë, maksimal, imazhet në trajtat e tyre origjinale. Gjithashtu ka pasur durimin dhe kujdesin të ndjekë fillin ku këto imazhe janë riprodhuar në trajta të ndryshme arti dhe në përmasa të ndryshme, në stile të ndryshme”, ka thënë Abdullahu.
Artistja Zake Prelvukaj ka shpjeguar gjerë e gjatë historikun e realizimit të veprave me imazhin e Ali Pashës.
“Me veprat e tjera që u krijuan edhe më pas mund të themi se Ali Pashë Tepelenës i takon numri më i madh i tablove që u është kushtuar figurave të rëndësishme të historisë shqiptare gjatë shekullit të 19-të. Portretet e tij më të hershme fillojnë para vitit 1804. U realizuan gjatë takimet me pashain në Janinë dhe në Tepelenë”, ka thënë Prelvukaj.
Ka thënë se një numër i madh veprash u realizuan edhe për vrasjen tragjike të Ali Pashë Tepelenës.
“Disa vite më pas shohim se artistë të vendeve të ndryshme vazhduan të krijojnë vepra të tjera artistike kushtuar pashait shqiptar. Edhe tani, ndërkohë që trupi i Aliut prehet midis Janinës dhe Stambollit, imazhet me portretet e tij vazhdojnë të ekspozohen në disa nga muzetë dhe galeritë e artit nëpër botë. Dy nga pikturat më të njohura ndodhen në Muzeun Britanik në Londër dhe në Muzeun Metropolitan në New York. Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Francës ruan rreth 20 litografi me portrete të Aliut”, ka thënë ajo.
“Ali Pashë Tepelena në artin botëror – Pararendës i pavarësisë shqiptare” është konsideruar si një ndër botimet më të çmuara për bibliotekat e shqiptare dhe për studiuesit e huaj.