“Sot Arta Marku duhet të ishte e shkarkuar nëse procesi i Vettingut nuk do të ishte i politizuar”.
Kështu u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një konferencë për media të mërkurën.
“Sot në krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht, por që meritë të vetme ka besnikërinë ndaj kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. U konfirmua vegla e Edi Ramës në krye të Prokurorisë”.
“PD e konsideron konfirmimin në detyrë të Arta Markut si lajm të keq për reformën në drejtësi”, tha deputeti demokrat.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka konfirmuar Arta Marku në detyrën e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme. Sipas KPK-së, Marku rezultoi e pastër në tre shtyllat e Vettingut.
Edhe në dhënien e vendimit, Marku nuk ishte e pranishme në sallë, por u përfaqësua nga avokatja e saj.
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku nuk u paraqit dje në seancën dëgjimore të Vettingut. Mungesa e saj zhgënjeu jo vetëm trupën e Vettingut, por edhe përfaqësuesin e ONM-së, Teo Jacobs.
Ai e komentoi këtë situatë si mungesë lidershipi nga ana e Markut, pasi, sipas tij, lidershpi përbëhet jo vetëm nga autoriteti, por edhe nga llogaridhënia.