Pasditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka pritur në takim zëvendësministrin në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli.
Temë e diskutimeve në këtë takim ishte funksionalizimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, pako e masave të nivelit lokal dhe qendror për nxitjen e bizneseve të reja nga të rinjtë, startup bizneset, platformat elektronike të transparencës komunale si dhe projekte të tjera që nxisin punësimin e të rinjve.
Kryetari i Komunës, Agim Aliu falënderoi për vizitën zv.ministrin Cakolli duke falënderuar edhe njëherë Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për projektin e hapjes së Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, projekt ky që po realizohet për herë të parë në Komunën e Ferizajt.
Në anën tjetër, zv.ministri Cakolli falënderoi Kryetarin e Komunës, Agim Aliu për pritjen dhe bashkëpunimin duke e siguruar këtë të fundit se bashkëpunimi mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizajt do të intensifikohet edhe me projekte të tjera.