Komisioni disiplinor ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, i cili është përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, ka konfirmuar të mërkurën ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Krasniqi ishte dërguar në komisionin disiplinor pasditen e së hënës. Baza kryesore ligjore që është përdorur për rastin e tij është Ligji i ri për zyrtarët publikë.
“Më datën 3 nëntor jemi njoftuar nga Departamenti i Shtetit që z. Krasniqi ka masë. Sot me vendim të Komisionit Disiplinor ai është hequr nga shërbimi civil”, tha Aliu.
“Është një proces që ka shkuar sipas rregullave. Për deklarimin e ministres së Drejtësisë, e falënderoi atë që ka gjetur kohë të flasë për këtë çështje. Tash pas kësaj situate, po presim informata nga DASh-i dhe çfarëdo situate që shpie në diçka të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim”.
Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij i është ndaluar hyrja në ShBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.
Pas saksionimit të Krasniqit, kishte reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Sipas tij, saksionimi i Krasniqit tregon se sa me seriozitet e trajtojnë çështjen e korrupsionit.
“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, kishte shkruar Hovenier në Twitter.