Aliu përplaset me deputetët e opozitës për projektet infrastrukturore: Shumica po zhvillohen në trende normale

Prishtinë | 31 Tet 2024 | 12:14 | Nga Hasan Hoti

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur në lidhjet me projektet rrugore, duke thënë se shumica e tyre po vazhdojnë në mënyrë të rregullt, raporton Ekonomia Online.

Aliu tha se problemet më të mëdha janë në autostradën Prishtinë – Gjilan dhe në rrugën Dollc – Gjakovë.

“Problemet që kanë më së shumti vështirësi është rruga Prishtinë – Gjilan, dhe rruga Dollc – Gjakovë. Kur flasim për rrugën e Pejës, 240 milionë ka qenë i paraparë ndërtimi fillimisht dhe tash po ndërtohet me ritëm normal dhe ka me kushtu rreth 90 milionë”.

“Kur flasim për rrugën Dollc – Gjakovë dhe autostradën Prishtinë – Gjilan, janë dy rrugët që jemi marrë më së tepërmi. Por, ka probleme të përditshme sepse mënyra e kontraktimit dhe projektimit të tyre ka ndodhur në kohë fushatash, me probleme qoftë në projektim dhe të cilat vazhdojmë sot të kemi telashe. Progres ka më të ngadaltë, por ka progres”, tha Aliu

Tutje, ai foli edhe për rrugën Prishtinë – Podujevë, për të cilën tha se ka qenë rruga me probleme të shumta nga e kaluara, por sipas tij, është arritur që të përmbyllen një pjesë e madhe e tyre.

“Kemi hapur tenderin nga Bardhoshi deri në Lluzhan dhe deri në Podujevë me i realizu ato pjesët e objekteve. Prapë po shkojnë sipas trendit normal. Së shpejti do të asfaltohen të katër shiritat te rruga e Podujevës. Probleme ka të ndryshme tek ndërtimi i urave, ndër të tjera ka që vijnë nga ndërmarrje të tjera që vijnë nga KEDS-i apo ndërmarrje të tjera, që i kanë të vendosura shtyllat, që janë probleme brenda suazave normale”, tha tutje Aliu.

Kurse, për sa i përket Urës së Badocit, Aliu tha se ka qenë urë me probleme në projektim që nga fillimi, por sipas tij, edhe ndërtimi i saj po ecë me trend të shpejt.

“Edhe te Ura e Badocit, ka qenë urë me probleme në projektim që në fillim, që ka qenë problemi, mos të harrojmë që rruga e Badocit ka qenë rrugë që ka ndodhur befas, pra dëmtimi i saj ka ndodhur i befasishëm. Projekti është bërë, por me gabime. Është rishikuar projekti dhe tash po ecë me një trend mjaft të shpejtë dhe po kryhet sipas afateve të veta”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pati kritika në drejtim të ministrit Aliu, për “gjendjen e rëndë në rrugët e Kosovës”. Madje, ai tha se rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes.

“Më shqetësuese është sot se rrugët e Kosovës janë bërë rrugë të vdekjes dhe ta marrim rrugën për Gjilan. Nuk di se çka thotë ministri Liburn Aliu e zëvendësministri Durmishi dhe si mund të dalin e të krenohen me punën e tyre kur rrugët marrin jetëra. Nuk ka sinjalizim dhe është mjerim i Ministrisë përkatëse. Rruga Dollc-Gjakovë, që shtatë deputetë që vijnë nga Gjakova dhe është turp i kësaj Ministrie se si i ka lënë qytetarët e Gjakovës në ketë gjendje. Besoni se pas një muaji pasi e kanë bërë shtresën e parë, hajdeni dhe shkojmë ta këqyrim se në çfarë gjendje të mjerueshme e kanë lënë. Besoni se më kish ardhë turp me qenë ministër e me ndejt para deputetëve e me i lënë rrugët në atë gjendje”, tha Lekaj.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha. Ai ka thënë se në mandatin e Qeverisë Kurti nuk janë arritur as të mirëmbahen rrugët.

“Rrugët e vjetra që kanë qenë janë bërë të rrezikshme, të pakalueshme sepse s’keni arritur as me i mirëmbajt. Rruga Dollc – Gjakovë në gjithë segmentin e saj edhe me shembjen, tregon se s’ka strategji të punës veç po bëhet sa për të thënë”, ka deklaruar Berisha.

E deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, pati kritika për rrugën tek ura e Badocit.

“Rruga tek ura e Badocit sipas jush është dashur qe dy vjet të rregullohet. Edhe rruga e devijuar është e dëmtuar. Se di sa duhet punë për një rrugë 40 metra me rregullu për dy vjet”, ka thënë ajo.

Të dy morën përgjigje nga ministri Aliu.

“Për rrugën Dollc – Gjakovë besoj se një pjesë e vërejtjeve qëndron. Është projekt i trashëguar. Pjesa e Badocit është duke shkuar në trendin normal tani. Progresi është t’u shku brenda trendeve normale”, ka potencuar Aliu.

Të ngjashme