Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për vendimin për rritjen e pagave. Ajo ka thënë se Vetëvendosje mburret vazhdimisht për rritjen e pagës minimale, mirëpo ka harruar punëtore teknike të Kuvendit, që janë në grevë, raporton Ekonomia Online.
“Në gusht qeveria mori vendim për rritjen e pagës minimale. Nga 16 shtatori disa gra janë në grevë sepse ato paguhen në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Kosovës sepse paga e tyre është 275. E kemi një kompani private që nuk po respekton vendimin e qeverisë por tjetra është që kjo kompani ka kontratë me Kuvendin, me ligjbërësit me ne”.
“Në ndërkohë nuk kemi informacion që kësaj kompanie i është shkëputur kontrata. Nuk mund të lavdëroheni për secilin vendim e sidomos jo për vendimet të cilat nuk i zbatoni. Shumë e thjeshtë është zgjidhja kësaj çështjeje. Ajo kompani në mungesë te ofrimit të shërbimeve e pakta që është dashur të bëhej është t’i shkëputet kontrata. Duhet të kujdeseni t’i zbatoni ligjet në fuqi. Në kontratën e radhës duhet të jenë edhe kushtet e punëtorëve që do t’i ofrojnë shërbime Kuvendit”, ka thënë ajo në seancën e Kuvendit.