Aktivistja Adelina Tërshana është dërguar në spital me ndihmën e parë pasi ka marrë lëndime nga një gur i gjuajtur nga protestuesit në protestën e cila po mbahet në Drenas, raporton Ekonomia Online.
Megjithëse aktivistët bënin thirrje që të mos gjuheshin vezë, gurë dhe gjësende tjera, ata vazhduar për minuta të tërë të gjuanin.
Paraprakisht, aktivistja Adelina Tërshani, lexoi poezinë “Çika e Kosovës”, kushtuar rastit të fundit që i ndodhi 16 vjeçares në Drenas.
“Unë, çika e Kosovës kam mbetur në dorë të përdhunuesve me uniforma, të shtetit vrasës të grave që përdhunon në banka të shkollës. Unë çika e Kosovës kam mbete në dorë të përdhunuesve me mirënjohje që shteti vrasës i grave i shpërblen që kane dit me ma marrë fëmininë”, u shpreh Tërshani, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa Altinë Nika, lexoi një letër duke u solidarizuar me viktimën, nxënësen nga Drenasi.
“Sot, secila prej nesh po e pyet veten, çka nëse kisha qenë unë? Çka nëse do t’i kishte ndodhur motrës ose shoqes sime. Ne kemi besuar verbërisht që në këtë shkollë do të marrim dije, e kemi nisur ngritjen e karrierës, ama as unë, as viktima e as një vajzë tjetër nuk e kemi besuar që pavetëdijshëm është bërë pjesë e një sistemi që nënvlerëson, përçmon e i përdhuninë nxënëset e veta”, tha Nika.
Aktivisti Afrim Berisha, ka shtruar disa kërkesa për subjektet policore.
“Dënim maksimal i policit kriminel, profesorit pedofil e gjinekologut abuzues. Kërkojmë zotim publik nga komandanti i policisë në Drenas, së pari të kryej një hetim komplet stacionit policor për raste të ngjashme dhe varësisht nga gjetjet të merren masa menjëherë”, tha Berisha.