Partia qeverisëse e Azerbajxhanit emëroi presidentin aktual, Ilham Aliyev, kandidat për zgjedhjet e parakohshme presidenciale që do të mbahen në muajin prill.
Kongresi i Partisë Azerbajxhani i Ri e nominoi Aliyevin tri ditë pasi ky i fundit ka njoftuar papritur se zgjedhjet do të mbahen më 11 prill dhe jo më 17 tetor, siç ka qenë e paraparë më herët.
Në dekretin e Aliyevit më 5 shkurt nuk janë dhënë arsye për vendimin, por është thënë se ai është në përputhje me Kushtetutën e Azerbajxhanit dhe me Kodin Zgjedhor.
Këshilltari i presidentit, Ali Hasanov, ka thënë se votimi është sjellë më herët për të siguruar se nuk ndërhyn në “ngjarje të rëndësishme, vendore dhe ndërkombëtare” që do të zhvillohen më vonë.
Por, udhëheqësi i partisë opozitare Musavat, Arif Hacili, ka thënë se ndryshimi i datës është “një operacion për të zgjatur sundimin e Aliyevit edhe për shtatë vjet të tjerë”.
Zëvendësja e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për çështje të Azisë dhe Euro-azisë, Bridget Brink, u tha gazetarëve në Baku se Shtetet e Bashkuara favorizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta, bazuar në Kushtetutën e Azerbajxhanit dhe në të drejtën ndërkombëtare.