Juventus dhe Milan do të përballen në xhiron e katërt të kampionatit italian Serie A.
Dy skuadrat më të mëdha italiane do të jenë përballë njëra tjetrës në një formë krejtësisht të kundërt.
Juventus ka vetëm një pikë pas tri ndeshjeve, derisa Milan ka grumbulluar nëntë pikë.
Trajneri i Zonjës së Vjetër, Massimiliano Allegri ka folur për këtë takim, duke thënë se është ndër më të rëndësishmit.
“Ndeshja kundër Milanit është një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit,për të mos thënë më e rëndësishmja. Milani ka fituar vetëbesim dhe siguri në vitet e fundit. Në duhet të bëjmë një paraqitje të mirë, po rritemi dhe për më tepër duhet t’i japim vazhdimësi fitores në Ligën e Kampionëve”, tha Allegri.
Tutje trajneri italian deklaroi se skuadra e tij llogaritë do t’i bëj në nëntor, derisa konfirmoi se Juve luan për të fituar gjithmonë kampionatin.
“Llogaritë do ti bëjmë në nëntor, sepse mund të humbasësh pikë shpejt, por edhe mund ti rikuperosh po aq shpejt. Shpresojmë të rikuperojmë sa më shpejt. Juventusi nuk luan për të fituar ndeshjet, por kampionatet, sepse fiton gjithmonë skuadra me rrugëtimin më të mirë në plan afatgjatë”, vazhdoi tutje trajneri italian.
Tekniku toskan ka zbuluuar se ka tri dilema sa i përket formacionit bazë, derisa Federico Chiesa ende është në dyshim.
“Kam disa dyshime në lidhje me formacionin startues,një në mbrojtje, një në mesfushë dhe një në sulm. Chiesa është një nga këto”, përfundoi Allegri. /Telegrafi