Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen tha se pati “diskutim të thellë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Allen publiko në “X” fotografi nga ky takim, ndërsa shkroi se “Kosova i përket BE-së dhe NATO-s”, duke përmendur kërkesën për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.
“Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Allen.
Ndërkaq, Kurti ka shkruar se kanë diskutuar për reformat demokrative dhe programin e MCC’së.
“Kënaqësi të takohem me nënsekretaren amerikane të Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike Liz Allen. Diskutova reformat e gjera demokratike të bëra në vendin tonë dhe mbështetjen kryesore të SHBA-së dhe @MCCgov për të ndihmuar këtë tranzicion pozitiv në të gjithë sektorët”, ka shkruar Kurti në “X”.
Në komunikatën e Zyrë së Kryeministrit thuht se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen.
“Ai i uroi mirëseardhje nënsekretares Allen, e cila po e viziton Kosovën për herën e saj të parë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes, andaj presim që të fuqizojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, theksoi kryeministri në fillim të takimit, teksa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën, rolin dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë. Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara përmes USAID-së në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar. Në takim, kryeministri ngriti brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
U diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare, dhe kur dihet që anëtarësimi i ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Sot gjatë ditës, Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan një marrëveshje të mirëkuptimit kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”..