Improvizimi ishte i shkëlqyer dhe Dele Alli nuk kishte mundur të gjente një vend më të mirë për të ekzekutuar atë manovër të shkëlqyer.
Pikërisht para syve të kryetrajnerit të ri Jose Mourinho, prekja me thembër e topit ndonëse ishte shtrirë, bëri më tepër sesa të mbante topin në fushë, pasi kishte rrëshqitur.
Para se të mund të ndalej nga mbrojtësi i West Hamit, Ryan Fredericks, Son Heun-ming nxitoi pas topit të marrë nga Alli dhe pasoi për Lucas Mouran që shënoi golin e dytë të Tottenhamit.
“Ishte thjesht një mendim i shpejtë. Para se të arrija te topi e dija se Son do të bënte atë vrapim. Kështu që me të shkuar në anën tjetër të fushës, humba balancën, por e dija se duhej të mbaja topin në lojë. Ndoshta nuk ishte aq mirë siç u duk”, ka thënë Alli, ndërsa Tottenhami triumfoi 3:2 në udhëtim të shtunën ndaj West Hamit, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Por, defintivisht impresionoi Mourinhon.
“Ajo lëvizje ishte fantastike. Por, për mua është më e jashtëzakonshme ana mentale në lidhje me këtë. Mund të bësh atë vetëm nëse je i fokusuar, i vendosur, me besim të madh, nëse nuk dorëzohesh edhe kur ke ndjenjë të keqe, trishtim”, ka thënë Mourinho.
Mourinho duket se e ka bërë projekt të tij te Tottenhami që të ringjallë Allin, që së fundi ka humbur vendin në përfaqësuesen e Anglisë pasi ka rënë në formë te Tottenhami nën drejtimin e Mauricio Pochettinos.