Qëndrim Sopi nga Klubi Alpin Prishtina ka thënë se kryetari i Federatës së Bjeshkatarëve të Kosovës, Arben Lila, ka penguar klubin e tij që të marrë paratë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, të nevojshme për udhëtimin e katër anëtarëve të këtij klubi për t’u ngjitur në majën më të lartë në botë në Malin Everest.
Sipas Sopit, Lila ka dashur që të marrë paratë për vete dhe kështu ta dobësojë Klubin Alpin Prishtina.
“Klubi Alpin Prishtina ka filluar përgatitjet për në Everest qysh para tri vjetësh dhe gjatë këtyre tri vjetëve kemi harxhuar energji e të holla që vetëm e vetëm të arrijmë një qëllim me të cilin do të mburreshin bjeshkatarët e Kosovës”, ka thënë Sopi.
“Ne kemi krijuar një projekt dhe atë e kemi drejtuar në institucionet e Kosovës. E kemi dorëzuar si fillim në Ministrinë e Kulturës e më pas edhe në Federatën e Bjeshkatarëve të Kosovës për hir të hierarkisë”.
“Unë vet Arben Lilën kam dëgjuar se u ka thënë të gjithë të tjerëve që duhet të i përkrahim këta bjeshkatarë që të ngjisin majën e Everestit”, ka deklaruar ai ne Klan Kosova.
“Por, më pas Arben Lila me klanin e tij e formojnë një projekt tjetër dhe kërkojnë të holla për gjashtë persona. Lila ka futur persona që s’janë as të regjistruar në shoqatën e Bjeshkatarëve”.
“Ideja e Lilës ka qenë që t’i marrë parat për vete dhe ta dobësojë klubin Alpin Prishtinë që të mos e arrijë Everestin”.
“200.000 mijë euro na janë dashur, por kanë mundur të jepen vetëm 60 mijë euro dhe ministria ka ndarë 60.000 euro për gjashtë persona”.
Kështu sipas Sopit, nga katër persona që kanë pasur të marrin paratë, ato i kanë marrë gjashtë persona dhe fondi nuk ka shkuar i gjithi për katër anëtarët e Klubi Alpin Prishtina.
Prandaj tash kanë mundur të udhëtojnë vetëm dy prej këtij klubi, në vend të katër se kishte paraparë projekti i tyre në fillim.(klankosova)