Kryetarja e partisë politike Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, në Konventën Qendrore të Forumit Rinor të kësaj partie, tha se po kalojnë në fazën jo të lehtë, atë të zgjerimit, por shtoi se kanë vizion për të ecur përpara.
Me Alternativën, sipas Kusari-Lilës, Kosova do të trajtohet njëjtë dhe do të ketë mundësi të barabarta me shtetet e tjera, raporton Ekonomia Online.
Ajo shtoi se nuk u thonë qytetarëve t’i votojnë sepse do të punësohen në institucione të shtetit sepse, sipas saj, kjo e ka sjellë shtetin në pozitë të vështirë.
“Të gjithë ju të pranishëm që i keni besuar një vizioni, zëri i cili ende nuk e ka marrë kumbimin dhe ushtimën që duhet ta ketë në tërë Kosovën. Kjo tregon që i keni besuar një vizioni të ri. Jemi duke kaluar në fazë jo të lehtë të zgjerimit por gjithmonë të bindur se ai zë këmbon njëjtë. Synojmë të kemi ndjenjë të barazisë me të gjitha shtetet. Kosova të ndijë veten me të njëjtë në telashe apo mundësi si shtetet evropiane, kjo është alternativa”.
“S’jemi ata që ju themi se nëse na votoni do të punësoheni në shtet, sepse kjo e solli shtetin në këtë pikë, e solli këtë administratë. Duhet me pyet veten çka çdo ditë kam bërë për lagjen e komunitetin tem. Ju jep përgjegjësinë që rrufa e shkurtë nuk është ajo e vërteta, gjithçka fillon mirë kur qëllimi është i mirë. Nëse së bashku duam ta çojmë vendin ku secili është i barabartë, atëherë jeni në partinë e duhur”.
Kusari-Lila u ka dhënë anëtarëve të partisë që të organizojnë aktivitete gjatë korrikut nëpër komunat e tyre, dhe përmes tyre të dërgojnë mesazhe të rinjtë që mos ta shohin liberalizimin e vizave për të ikur nga Kosova, por për t’i ndihmuar shtetit të tyre.
“Në korrik do të kemi aktivitete në komunat ku jeni prezent, nga sot ju jap detyrë të mendoni për aktivitetet gjatë korrikut. Të ju japim mesazh të rinjve, mos ta shikojnë liberalizimin e vizave për t’ia kthyer shpinën vendit por për t’ia hapur derën atij. Jo të gjithë e kemi synimin me ikë prej këtij vendi por të japim kontributin tonë sepse ky vend e meriton. Kurrë mos ia ktheni shpinën Kosovës”.
Nënkryetari i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se duhet të gjenden njerëz të fortë të cilën do të merreshin me ndryshimin e gjendjes së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Deda ka shtuar se politikanët e cilësojnë rininë si e ardhmja, por sipas tij ajo është e tashmja e Kosovës.
Edhe Deda dha mesazhe që rinia nuk duhet të dalë jashtë vendit. Ai vlerëson se pa rininë politika nuk është e suksesshme.
Ai ka kërkuar që gara në Forumin Rinor të jetë demokratike.
“Kemi dëgjuar politikanët derisa thonë se rinia është e ardhmja, rinia është e tashmja e Kosovës, politikatët e kanë gojën plot rini por ia marrin rinisë perspektivën. Për dallim prej partive të tjera që e shohin rininë si material shpenzues, alternativa e sheh rininë si bërthamë. Politika nuk është e suksesshme nese ju keni me dalë krejt jashtë Kosovës”.
“Çka kemi me ofru ne ndryshe prej të tjerëve, ky Kuvend është rrumbullakësim i një pune të përbashkët, tash fillon kapitull i ri për forumin rinor. Ju dëshiroj garë demokratike, dhe kohezion sa më të madh brenda jush. Kemi me u mundu që zgjidhjet që ju i ofroni me i shty në Kuvend dhe me i bërë pjesë e platformës se Alternativës”.