Ambasada amerikane në Kiev, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që akoma gjenden në Ukrainë, që të largohen nga ky vend, pas raportimeve të shumta që Rusia mund të rrit përpjekjet për sulme të reja ajrore.
Në një kumtesë të Departamentit amerikan të Shtetit, qytetarët amerikanë këshillohen që të largohen nga Ukraina, duke përdorur transportin tokësor si opsionin më të sigurtë, transmeton Telegrafi.
Ambasada gjithashtu ka shpërndarë këshillat se çfarë veprime duhet të ndërmarrin qytetarët amerikanë në rast se gjenden në situata të rrezikshme.
“Nëse dëgjoni shpërthime të fuqishme apo nëse aktivizohen sirenat, menjëherë strehohuni diku. Nëse jeni në shtëpi apo ndërtesë, shkoni në katin më të ulët dhe qëndroni ku ka mure të trasha dhe mbyllni dyert – qëndroni larg dritareve”, thuhet ndër tjera në kumtesë.
Departamenti amerikan i Shtetit e ka lëshuar këtë kumtesë, pasi inteligjenca amerikane ka njoftuar se Rusia do të rrit përpjekjet për të kryer sulme mbi infrastrukturën civile në Ukrainë.