Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka dhënë sqarime rreth procesit të rekrutimit të drejtorit të Doganës së Kosovës, pas raportimeve në medie, për parregullsi gjatë këtij procesi.
Sipas Ambasadës Britanike, procesi për zgjedhjen e Drejtorit të Doganës së Kosovës ka dhënë rezultat të qartë. “Partneri zbatues dhe paneli intervistues janë pajtuar se kandidati me pikë më shumë në krahasim me secilin kandidat tjetër, ishte kandidati më i mirë për pozitën e Drejtorit të Doganës së Kosovës”.
Më 5 shkurt, Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) raportoi se një memorandum i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadori britanik Ruari O’ Conell, për përzgjedhjen e kandidatëve për postet e larta, duket se nuk po jepte rezultate.
Pas këtij memorandumi një kompani britanike kishte filluar punën në monitorimin e konkurseve në postet e larta. Konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të doganës ishte puna e parë e kësaj kompanie.
Dy personat e propozuar për drejtor të Doganave të Kosovës nga tre sa i janë dërguar kryeministrit për këtë pozitë nuk e përmbushin kriterin e domosdoshëm të konkursit, njohje të gjuhës angleze, thuhet në raportin e partnerit implementues të siguruar nga RTK-ja.
Por, sipas Ambasadës Britanike ky lajm nuk është i saktë dhe RTK-ja nuk ka bërë përpjekje serioze për të kërkuar informata nga ta paraprakisht.
“Qeveria Britanike ofron mbështetje institucioneve të Kosovës në procesin e rekrutimit të pozitave të larta. Megjithatë, paneli i rekrutimit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, është në pajtim me ligjet e Kosovës, dhe vendimi përfundimtar i takon institucioneve të Kosovës”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj ambasade.
“I tillë ishte edhe procesi i rekrutimit të Drejtorit të Doganës. Partneri zbatues i projektit, i financuar nga Ambasada Britanike, ka përgatitur panelin intervistues që të zbatojë rekrutimin në mënyrë profesionale, dhe ka monitoruar dhe marrë pjesë në procesin intervistues. Ministria e Financave e ka emëruar panelin intervistues. Paneli intervistues ka përgatitur listën e shkurtër, dhe duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, partneri zbatues ka ofruar mbështetje dhe këshilla mbi zbatimin e procesit të përzgjedhjes përfundimtare. Anëtarët e panelit dhe partneri zbatues ka shprehur shqetësim lidhur me disa elemente të procesit dhe aftësinë e kandidatëve dy dhe tre nga lista e shkurtër. Këto shqetësime janë përfshirë në raportin e ndarë me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Një gjë e tillë është bërë pikërisht me qëllim që vendim-marrësit e institucioneve të Kosovës të jenë të informuar drejtë me rrjedhën e procesit, dhe me parregullsitë e mundshme, para se të marrin vendim për një pozitë kaq të rëndësishme”.
Më tutje në komunikatën e Ambasadës Britanike theksohet se nepotizimi është problem në Kosovë. “Ky problem nuk do të zgjidhet brenda natës. Fatkeqësisht, ne presim rezistencë ndaj përpjekjeve për ta ndaluar këtë praktikë. Qeveria Britanike është e vendosur të ndihmojë, mirëpo suksesi arrihet vetëm nëse ka vullnet politik dhe institucionet e vendit zgjedhin kandidatët më të mirë”.