Stavileci: Këtë vit nga Dogana e Kosovës janë grumbulluar 1 miliard e 330 milionë euro

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Doganës Adriatik Stavileci, ka thënë se ky vit ka qenë një prej viteve më të mira që nga themelimi i Doganës së Kosovës, ai tha se janë grumbulluar rreth 1 miliard e 330 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

“Ky është një prej viteve ma të mira që kur është themelu dogana e Kosovës,  1 miliard e 330 milionë euro të grumbulluara për buxhetin e Kosovës, që paraqet rritje me 30 për qind apo 330 milionë euro më shumë se vitet e kaluara”, ka thënë Stavileci në Sytë shtatë.

Ai tha se edhe eksporti ka shënuar rekord rritjeje me 700 milionë euro ose 60 për qind më shumë se vitin e kaluar.

“Eksporti kosovar është rritur mjfat shumë dhe presim që ky vit të përmbyllet me 700 milionë euro mallra të eksportuara, pra me 60 për qind rritje. Viteve të kaluara kemi eksportuar rreth 350 deri në 400 milionë euro, derisa këtë vit shënon rekordin e kemi kalu gjysmë miliardin”, ka shtuar ai.

Sipas Stavilecit në eksport edhe në import duhet të lëvdohet jo vetëm performaca e doganës por edhe e ekonomisë, pasi sipas tij, dogana nuk mund të mbledhë taksa dhe as eksporti nuk mund të rritet nëse ekonomia nuk funksionon ashtu siç duhet,

“Kemi pasur performancë të rritur të prodhuesve kosovarë që kanë eksportuar mallrat e tyre duke fillu prej vendeve të rajonit, te Bashkimi Evropian dhe në ShBA”, ka vazhduar ai.

Ai tha se kanë ulur mundësinë e kontrabandimit, duke shtuar se domosdoshmërish kjo dukuri zvogëlohet kur të hyrat rriten.

“Domosdoshmërish kontrabanda ulet kur të hyrat rriten, sepse i mundëson biznesit legjitime të funksionojnë. Kontrabandimi i produkteve nuk e dëmton buxhetin e Kosovës më shumë sesa e dëmton ekonominë”.

Ai po ashtu tha se këtë vit ka pasur rritje të importit të fishekzjarrëve nga viti i kaluar me mbi 130 mijë kilogramë fishekzjarrë, por që sipas tij nuk është rritje shumë e madhe pasi tha se vite më parë janë importuar mbi 1 milion kilogramë.

“Në krahasim me vitin e kaluar, vitin e kalum janë importuar rreth 15 mijë kilogramë fishekzjarrë, ka një rritje 130 mijë kilogramë, prapë kjo shifër është më e ulët sesa vitet e mëhershme ku ka pasë deri në 1 milion import të tyre. Fishekzjarrët kanë edhe taksë dy 2 euro një kilogram kjo ka ndiku që të ulet importi i tyre”, ka thënë ai.

Ai shtoi se importit si zakonisht i prijnë derivatet e naftës, automjetet dhe duhani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme