Me rastin e Ditës Kombëtare të Çekisë, Ambasada e sajë në Prishtinë, do të ekspozojë fotografitë që ilustrojnë përditshmërinë e vërtetë të jetës, në Prishtinë dhe në vendbanimet tjera në Kosovë. Këto fotografi janë vepra të Albert Pich – autor i njohur çek për fotografitë në rrugë, të bëra gjatë tetë viteve të qëndrimit në Kosovë.
Kjo foto ekspozitë është titulluar “Në Kosovë me dashuri”, një titull që i referohet motos së Presidentit Vaclav Havel: “E vërteta dhe dashuria duhet të mbizotërojnë ndaj gënjeshtrës dhe urrejtjes”. Fotografitë që do të ekspozohen, të realizuara në stilin e fotografive të bëra në rrugë, hapin zemrën e shikuesit dhe e bënë ate pjesë të skenës së vërtetë në rrugë, pa e lënë mundësinë e dyshimit për mashtrim.
Koncepti i ekspozitës së zhvilluar nga Ambasada e Çekisë është menduar si një reflektim natyral artistik mbi një iniciativë të mirëfilltë të Kosovës #InstaKosovo (hapësirë kreative e diplomacisë alternative të Kosovës e nisur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës. Kjo nismë përdorë kanalet e reja për komunikim, kryesisht në mesin e të rinjve, për të përhapë një porosi me mjete jo-verbale).
Ekspozita përbëhet prej 32 fotografive bardhë e zi. Këto fotografi do të ekspozohen në 16 panele me dimensione 1,6 x 2m., në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
Ceremonia e hapjes së ekspozitës, si pjesë e pritjes për Ditën Kombëtare të Çekisë do të bëhet më 27 tetor 2016, në orën 18.00, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2016.
Partnerë të Ambasadës së Çekisë, për këtë ngjarje janë: Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe Banka Raiffeisen.