Kamuran Goranci, një artist me qasje moderne dhe ekspresive-abstrakte

Prishtinë | 05 Mar 2023 | 20:16 | Nga Hivzi Muharremi

Hapja e ekspozitës të piktorit Kamuran Goranci në “Galerie im Alten Pfandhaus” në Köln të Gjermanisë është organizuar me ftesë zyrtare nga URAKult e.v. e cila është Shoqatë kulturore e cila që 8 vite me radhë realizon me mjaftë sukses shkëmbime kulturore në mes të Gjermanisë dhe vendeve të Europës Juglindore.
Veprat e ekspozuara të piktorit janë të konceptuara me termin filozofik “Kod”.

Para artdashësve gjermanë, piktori Kamuran Goranci prezantohet me ciklin e veprave kryesisht të realizuar në dekadën e fundit e cila është karakterizuar me shumë ngjarje sa dramatike po aq edhe tronditëse për tërë globin botëror. Veprat e ekspozuara kryesisht ngërthejnë një gjuhë të një fryme moderniste transavangardiste të lëvizjeve moderniste që kryesisht janë paraqitur pas artit standard europian në atë amerikan e cila do jetë dominante me izmat më bashkëkohore të artit botëror duke filluar me informelin, ekspresionizmin abstrakt të Roshenbergut e deri tek trendet më moderne. Kjo ekspozitë e piktorit Kamuran Goranci është një përpjekje për realizim të imazheve, motiveve më karakteristike të nënqiellit tonë duke e shpërfaq përmes tri elementeve figurative më parësore: përmes ngjyrës-koloritit, sipërfaqës dhe dritës.

Në këtë trikonomi mbarshtrohet i tërë opusi krijues, përkatësisht veprat të realizuara dhe të ekspozuara me emërtim “Kod” para dashamirëve të artit në Galerin im Alten Phandaus Kartauserëall Koln. Pra, koncepti i ekspozitës së piktorit Kamuran Goranci është mbarshtruar me veprat më karakteristike të realizuara në ketë periudhë sikurse edhe gjatë fazave të ndryshme kohore dhe gjithnjë duke i dhënë përparësi frymës së re filozofike, një fryme që për auditorin nuk është e kapshme, por gjithnjë len dilema dhe interpretime si te aspektit përmbajtësor po ashtu edhe të atyre artistik që arrihet përmes elementeve figurative.

Në këtë vorbull filozofik autori tërësisht është liruar nga ana përmbajtësore dhe figurative të cikleve më të hershme, më konkrete dhe më të kapshme për syrin e cdo vrojtuesi. Pra, nga trajtimi real i imazheve të mjedisit ku jeton dhe krijon piktori ai tani gradualisht fillon këto pamje ti “tretë” në motive abstrakte, të pa konktretizuara dhe të pakapshme për syrin e kundruesit. Është një qasje kur autori të bukurën orvatet ta paraqet si një idilë të fshehur në magmen e shpirtit të vet, në imagjinaten e shprehjes së tij artistike pa explorim.

Por, gjithnjë, me paramendim që vrojtuesi përmes shikimit të veprave ta gjejë veten, t’i zbuloj fshehtësit artistike të cilat arrihen përmes elementeve të artit dhe cdo njëri mund ta shijoj në mënyrën e vet. Apo siç thotë edhe kuratori i ekspozitës Zeni Ballazhi në shkrimin e tij të parathënies së katalogut: “…Të gjitha pikturat në këtë rast solemn janë të punuara mbi ndjeshmërinë dhe harmoninë, të cilat tani janë të pranishme dhe të koduara nga aspekti artistik, duke fiksuar përfundimisht realitetin, imazhet dhe emocionet e tij në strukturat e ëndërrave të tij”.

Kompozicion XIV, akrilik në pëlhurë, 40×40, 2022
Kamuran Goranci, në mënyrë kontinuele e vazhdon trajtimin e këtyre motiveve por gjithnjë duke pasur parasysh dhe duke e vërë në spikamë hapësirën kolosale lirisht mund të themi me atë të botës së tij të përmbushura me imazhe dhe emocione në strukturat e ëndërrave të tij.

Të gjitha këto artisti i mpleks në vetë strukturën koloristike dhe në elementin e dritës e cila jo vetëm që i definon format e trajtuara figurale por shkrihet në atë tërësi koloristike duke e vë në spikamë akoma e më shumë raportet koloristike e kontrastive të këtyre veprave të ekspozuara gjithnjë në konceptin “Kod”.

Kamuran Goranci, i lindur në Prizren. Fakultetin e Arteve e kreu në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Pikturës, në klasën e profesor Muslim Mulliqit. Magjistraturën e kreu në Beograd, në vitin 1981, dhe e fitoi titullin akademik magjistër i pikturës. Ka punuar në cilësin e profesorit në shumë shkolla të mesme si dhe Kolegje private dhe në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në cilësinë e pedagogut për lëndët profesionale në Departamentin e Artit Figurativ. Ka qenë themelues dhe Drejtor i Galerisë së Arteve “Vizioni i Ri 2000” në Gjakovë (2000 – 2009), pastaj Udhëheqës i Divizionit të Arteve SMP-re nëMKRS-ë Prishtinë (2002 – 2011, Drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS Prishtinë (2011 – 2015). Ka realizuar edhe projekte kulturore artistike që nga viti 2001 – 2022 si: Kursi i Talentëve të Rinj. Gjakovë (2000), Kampi Veror Multikulturor i të Rinjve – Gjakovë (2001 – 2004), “Kultura dhe arti në procesin Edukativo-Arsimor”, Gjakovë (2004). Ka qenë edhe producent i tri projekteve filmike: Etjet e Kosovës (2005), Anatema (2006), Tri dritare dhe një varje (2014). Në vitin 2017, është iniciator, bashkëthemelues dhe kryetar i Asociacinit të Artistëve Vizualë të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme