Zyra amerikane për Koordinim të Mbrojtjes në Kosovë (ODC) ka dhuruar 38 shtretër me dyshekë, tavolina dhe dollapa, me vlerë prej 60 mijë dollarë Klinikës Gjinekologjike-Obstetrike.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka falënderuar Ambasadën Amerikane për këtë donacion. Sipas ministrit ndihma e vazhdueshme e ShBA-së, sidomos në shëndetësi ka lehtësuar punën në këtë sektor, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kjo është edhe njëra nga objektivat kryesore të ministrisë, në kuptim të përmirësimit si në infrastrukturë edhe në vazhdimësi duhet të investojmë edhe në menaxhim më të mirë në mënyrë që të kemi shërbime më të mira për qytetarët.
Ministri Ismaili, rikujtoi se sektori i shëndetësisë ka nevojë për një përmirësim dhe këto ndihma do të jenë të mirëseardhura.
Collen Hyland, Zëvendës Shefe e Misionit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, tha se këta shtretër bashkëkohorë të dhuruar nga SHBA-ja, do t’iu mundësojnë pacientëve rehati më të madhe, dhe do të mundësojnë cilësi më të mirë të kujdesit të përgjithshëm.
Hyland, mes tjerash theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për mbështetjen e vazhdueshëm për QKUK-në.
Duke treguar vlerën e donacionit, ajo shpjegoi se ky donacion kapë vlerën 60.000 dollarëve dhe është financuar nga programi për ndihmë humanitare i Komandës së forcave amerikane në Evropë, por përpjekjet megjithatë janë nxitur nga ana e Zyrës për bashkëpunim të mbrojtjes.
Zëvendës shefja e Misionit të ShBA-së për Kosovën, sqaroi se projekti i fundit i përkrahjes në një varg të gjatë të projekteve të përkrahjes gjithsej vlerësohen se kanë vlerën apo shifrën e 2.5 milion dollarëve.
Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, u shpreh se në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me popullin amerikan përmes Ambasadës Amerikane dhe trupave të mbrojtjes së saj, ku në formë të vazhdueshme kanë përkrahur QKUK-në.
Ai tha se përmes këtyre donacioneve asnjëherë nuk është lënë anash QKUK dhe zyrtarët e Ambasadës së Amerikës janë në dijen për hallet dhe problemet që i ka shëndetësia dhe vazhdimisht ndihmojnë, ku donacionet kanë qenë milionëshe.
Drejtori Gjocaj, rikujtoi renovimin e mëhershëm nga klinikat e kirurgjisë, ku vlera kalojnë mbi 2 milionë dollarë investime në infrastruktura dhe aparaturë, e poashtu në edukim të stafit.