Ambasada gjermane hap librin e zisë për ish-Kancelarin Helmut Kohl

Prishtinë | 20 Qer 2017 | 09:29 | Nga

Më 16 qershor 2017 në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në Ludvigshafen, Gjermani, u nda nga jeta ish-Kancelari Federal gjerman, Helmut Kohl.

Helmut Kohl u lind më 3 prill 1930 në Ludvigshafen. Nga viti 1959 deri në vitin 1976 ai u angazhua si deputet dhe më pas si kryeministër në politikën e landit Rajnland-Pfalc për të kaluar në politikën federale.

Më 1 tetor 1982 Helmut Kohl nga Bundestagu gjerman u zgjodh kancelar i gjashtë i Republikës Federale të Gjermanisë. Pas zgjedhjeve të para të përgjithshme parlamentare më 2 dhjetor 1990 Kohl mbeti kancelar – dhe me këtë ai ishte kancelari i parë federal i Gjermanisë së bashkuar deri në vitin 1998.

Në deklaratën e tij, Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, e vlerësoi kancelarin Hemlut Kohl dhe amanetin e tij, duke theksuar: “Ai ishte një burrështetas i madh, një politikan i madh gjerman dhe para së gjithash një evropian i madh, i cili ka bërë shumë, jo vetëm për bashkimin e Gjermanisë, por edhe për bashkëngjitjen e Evropës”.

Ndërkaq, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë njofton se nga sot, më 20.06. 2017, deri më 22.06.2017, nga ora 8:30 – 11.00 dhe nga ora 13.00 – 16.00, në ndërtesën e kësaj Ambasade në Prishtinë do të hapet libri i zisë, në të cilin mund të nënshkruhen të gjithë të interesuarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme